Një përplasje e re ka shpërthyer në Bashkinë e Kukësit, pasi ish kryetari i komanduar i këtij institucioni, Granit Gjana, ka çuar në Komisionin e Prokurimit Publik një tender të zhvilluar nga bashkia që sot drejtohet nga Albert Halilaj.
Çështja lidhet me një procedurë prokurimi për blerjen e pajisjeve kompjuterike për Bashkinë Kukës dhe njësitë administrative, me një fond limit rreth 5 milionë lekë pa TVSH. Tenderi është shpallur në fund të vitit 2025 dhe gara është zhvilluar në shkurt të vitit 2026.
Sipas dokumenteve të konsultuara nga Skyweb.al, në këtë procedurë kanë marrë pjesë dhjetë kompani, duke reflektuar konkurrencë të fortë në një sektor ku operojnë shumë subjekte që ofrojnë shërbime të ngjashme.
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Bashkinë Kukës ka shpallur fituese kompaninë Optima Communication me një ofertë rreth 3.1 milionë lekë.

Mes ofertuesve ka qenë edhe kompania INSTANT.AL, e cila sipas dokumenteve rezulton të jetë në pronësi formale të bashkëshortes së Granit Gjanës. Kuotat e kësaj kompanie iu transferuan asaj nga Gjana përpara se ai të merrte funksione publike.
Oferta e paraqitur nga INSTANT.AL ka qenë rreth 2.6 milionë lekë, pra dukshëm më e ulët se fondi limit i përcaktuar nga Bashkia Kukës.
Gjatë shqyrtimit të ofertave, Komisioni i Vlerësimit e ka konsideruar këtë ofertë si anomalisht të ulët dhe e ka skualifikuar nga gara, me argumentin se çmimi i paraqitur nuk garanton përmbushjen e detyrimeve kontraktuale sipas rregullave të prokurimit publik.
Pas këtij vendimi, kompania INSTANT.AL i është drejtuar Komisionit të Prokurimit Publik duke kundërshtuar skualifikimin dhe duke kërkuar rishqyrtimin e procedurës.

Në ankesën e depozituar përmes sistemit elektronik të ankesave pranë KPP, INSTANT.AL argumenton se autoriteti kontraktor ka kryer veprime proceduriale kontradiktore.
Sipas pretendimeve të kompanisë, më 16 shkurt 2026 Bashkia Kukës e ka konsideruar INSTANT.AL si ofertuesin e renditur të parin, ndërsa më 24 shkurt e ka skualifikuar ofertën duke e cilësuar si anomalisht të ulët.
Sipas ankuesit, analiza për ofertën anomalisht të ulët duhet të ishte bërë përpara renditjes përfundimtare të ofertave dhe jo pas saj.
Në ankesë ngrihen gjithashtu dyshime edhe për përmbushjen e kritereve nga disa operatorë të tjerë ekonomikë dhe kërkohet rivlerësim i të gjithë ofertave.
Përtej aspektit procedurial, kjo çështje shihet edhe si një përplasje mes drejtuesve aktualë dhe ish drejtuesve të Bashkisë Kukës, e cila kaloi nën drejtimin e Albert Halilajt pas arrestimit dhe dënimit të ish kryebashkiakut Safet Gjici.
Vetë Granit Gjana është dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për shkelje të barazisë në tendera.
Ai u dënua për dy procedura prokurimi për blerje karburanti me vlerë rreth 21 milionë lekë gjatë vitit 2023, ku sipas akuzës kishte penguar një subjekt privat të kualifikohej në tender.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi me burg u konvertua në dy vite shërbim prove.
Gjykata vendosi gjithashtu që për një periudhë pesëvjeçare Gjana të mos ushtrojë funksione publike. /skyweb.al
















