Fiancial Times raporton se anulimet e fluturimeve, mbyllja e hapësirave ajrore dhe pasiguria mes turistëve kanë nisur të godasin drejtpërdrejt ekonominë turistike në disa vende të Gjirit, pas përshkallëzimit të konfliktit dhe sulmeve të Iranit ndaj disa shteteve të rajonit, në vazhdën e goditjeve të mëparshme nga SHBA dhe Izraeli.
Pasiguria ka bërë që shumë turistë të anulojnë pushimet në rajon. Vetëm në Dubai janë anuluar mbi 80 mijë rezervime për qëndrime afatshkurtra gjatë javës që përfundon më 6 mars, sipas të dhënave të kompanisë së analizës së tregut AirDNA.
Dubai, që prej vitesh është ndërtuar si një qendër globale turizmi dhe transporti, po ndjen efektet e para të krizës. Qyteti është një nga destinacionet më të rëndësishme për udhëtarët ndërkombëtarë dhe një nyje kryesore për fluturimet mes Lindjes dhe Perëndimit.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse tensionet dhe pasiguria në rajon vazhdojnë, goditja ndaj turizmit dhe sektorëve të lidhur me të mund të thellohet edhe më tej në muajt në vijim. /skyweb.al
















