Cilësia e ajrit, niveli i zhurmës dhe ndotja e ujërave mbeten ndër problemet kryesore mjedisore në qytetet shqiptare. Ky është përfundimi i një monitorimi alternativ të realizuar gjatë vitit 2025 nga Instituti për Zhvillimin e Habitatit CoPlan, i cili prezantoi rezultatet për pesë bashki të mëdha të vendit.
Studimi është realizuar në kuadër të projektit GreenAL dhe përfshin të dhëna të mbledhura përmes qindra pikave të matjes në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier dhe Shkodër.
Në total janë ngritur 300 pika monitorimi në kryeqytet dhe rreth 100 pika të tjera në qytetet e tjera të përfshira në analizë.
Matjet janë përqendruar në disa nga indikatorët kryesorë të ndotjes mjedisore, përfshirë dioksidin e azotit, dioksidin e karbonit, grimcat e imëta dhe të mëdha të pluhurit në ajër, ndotjen akustike dhe cilësinë e ujërave sipërfaqësore.
Sipas raportit, Tirana rezulton qyteti me problemet më të mëdha për ndotjen e ajrit nga dioksidi i azotit. Ekspertët e CoPlan theksojnë se nivelet e larta lidhen kryesisht me trafikun e rënduar urban, përdorimin e sistemeve të ngrohjes gjatë dimrit dhe mungesën e ventilimit natyror në zona të dendura të qytetit.
Përveç këtij treguesi, edhe niveli i dioksidit të karbonit në kryeqytet rezulton mbi standardet e rekomanduara në shumë zona të qytetit, duke e bërë Tiranën një nga hapësirat urbane më të ngarkuara nga ndotja e ajrit.
Raporti evidenton se edhe qytete të tjera si Elbasani dhe Shkodra paraqesin nivele të konsiderueshme të ndotjes nga këta parametra.
Në veçanti, në Elbasan janë konstatuar përqendrime shumë të larta të dioksidit të azotit, ndërsa në Shkodër janë regjistruar gjithashtu nivele të ajrit toksik mbi kufijtë e rekomanduar.
Sipas ekspertëve, këto nivele të ndotjes janë më të dukshme në zona me trafik të rënduar ose pranë aktiviteteve industriale.
Ndërkohë, për sa i përket ndotjes nga grimcat e pluhurit, qyteti i Durrësit rezulton më problematiku. Matjet tregojnë se përqendrimet e grimcave të pluhurit variojnë nga 10 deri në 35 miligramë për metër kub, ndërkohë që standardi i lejuar është 10 miligramë për metër kub.
Ekspertët sugjerojnë se për të përmirësuar cilësinë e ajrit është e nevojshme rritja e eficencës energjetike në ndërtesa, zhvillimi i transportit publik dhe përdorimi i zgjidhjeve të gjelbra urbane.
Një tjetër problem i evidentuar nga monitorimi është ndotja akustike. Të dhënat tregojnë se niveli i zhurmës gjatë ditës dhe natës është i lartë në disa nga qytetet e monitoruara, veçanërisht në Tiranë dhe Durrës.
Në kryeqytet, rreth 60 për qind e pikave të matjes së zhurmës tejkalojnë nivelin mesatar të lejuar prej 55 decibelësh. Situata është edhe më problematike në Durrës, ku ky kufi tejkalohet në rreth 87 për qind të pikave të monitorimit.
Ekspertët paralajmërojnë se ndotja akustike, sidomos gjatë natës, mund të ketë pasoja serioze për shëndetin e qytetarëve, duke shkaktuar stres, ankth dhe probleme me gjumin.
Monitorimi është shtrirë gjithashtu edhe në cilësinë e ujërave. Në këtë pjesë të studimit janë analizuar mostra nga nëntë liqene, pesë rezervuarë, katër përrenj dhe një sistem vaditjeje.
Rezultatet tregojnë se disa nga liqenet kryesore në zonën e Tiranës paraqesin nivele të konsiderueshme ndotjeje organike. Ndër to përmenden Liqeni i Bovillës, Liqeni i Farkës dhe Liqeni Artificial i Tiranës.
Gjithashtu, në Lumin e Tiranës është konstatuar prani e metaleve të rënda, ndërsa ndotje të lartë janë identifikuar edhe në liqenet e Treganit, Belshit dhe Tafanit.
Sipas ekspertëve që kanë realizuar monitorimin, përmirësimi i situatës kërkon masa më të forta institucionale dhe kontroll më të rreptë ndaj aktiviteteve që ndikojnë në ndotjen e mjedisit.
Ata theksojnë se menaxhimi më efikas i trafikut urban, zbatimi i teknologjive për reduktimin e zhurmës dhe rritja e ndërgjegjësimit publik janë hapa të rëndësishëm për uljen e ndotjes në qytete.
Ndërkohë, për mbrojtjen e ujërave kërkohet kontroll më i fortë ndaj ndotjes nga aktivitetet minerare, stabilizim i brigjeve dhe reduktim i shkarkimeve të patrajtuara urbane në lumenj dhe rezervuarë.















