OSHEE Group ka vendosur të rrisë pagat për punonjësit e terrenit dhe inxhinierët elektrikë që punojnë në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes. Vendimi synon të mbështesë profesionistët e sektorit energjetik dhe të nxisë profilin teknik në këtë fushë.
Sipas njoftimit zyrtar, rritja e pagave ka hyrë në fuqi që nga data 1 shkurt dhe përfshin punonjësit me formim profesional dhe universitar në profilin elektrik.

Punonjësit me arsim të mesëm profesional në këtë profil do të përfitojnë një shtesë prej 7,500 lekësh mbi pagën bazë. Ndërsa për punonjësit me arsim të lartë në inxhinieri elektrike, rritja e pagës bazë është 12,500 lekë.
Kompania thekson se vendimi synon të vlerësojë kontributin e specialistëve që punojnë çdo ditë për mirëmbajtjen e rrjetit të shpërndarjes dhe për garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike.
Punonjësit e profilit elektrik në OSSH janë ndër strukturat kryesore që ndërhyjnë në terren për riparime, mirëmbajtje dhe operim të rrjetit energjetik në të gjithë vendin. Rritja e pagave konsiderohet si një masë për të mbështetur këto profile dhe për të forcuar kapacitetet profesionale të sektorit. /skyweb.al















