Një gjykatë në Austri ka vendosur sekuestrimin ligjor të një avioni të kompanisë ajrore Ryanair, pas një mosmarrëveshjeje me një pasagjere për kompensimin e një fluturimi të vonuar.
Ngjarja lidhet me një fluturim të vitit 2024 nga Linz drejt Mallorcës, i cili u vonua rreth 13 orë. Pasagjerja austriake rezervoi një fluturim tjetër alternativ dhe kërkoi rimbursimin e shpenzimeve dhe kompensimin sipas rregullave europiane për të drejtat e pasagjerëve.
Sipas raportimeve, Ryanair rimbursoi vetëm biletën fillestare, por refuzoi të paguante pjesën tjetër të kërkesës. Pasagjerja vendosi ta çojë çështjen në gjykatë në qytetin Traun në Austri, ku fitoi procesin.
Gjykata urdhëroi kompaninë ajrore të paguante 890 euro për kompensim, interesa dhe shpenzime gjyqësore. Megjithatë, sipas raportimeve, urdhri i gjykatës nuk u zbatua menjëherë nga kompania.
Më 9 mars, një përmbarues gjyqësor u paraqit në aeroportin e Linzit dhe hipi në një avion Boeing 737 të Ryanair që po përgatitej të nisej drejt Londrës. Përmbaruesi kërkoi që ekuipazhi të paguante shumën prej 890 eurosh, por kjo nuk ishte e mundur pasi fluturimet e kompanisë funksionojnë pa para në bord.
Si pasojë, përmbaruesi vendosi në avion një etiketë ligjore sekuestrimi, e njohur si “cuckoo sticker”, e cila i jep gjykatës kontroll mbi pasurinë e sekuestruar.
Avioni u lejua të kryente fluturimin drejt Londrës, por nëse kompania nuk shlyen detyrimin brenda afatit të vendosur nga gjykata, Boeing 737 mund të shitet ligjërisht në ankand publik për të shlyer borxhin.
Ryanair ka deklaruar se avioni nuk është sekuestruar, ndërsa nuk ka bërë të ditur nëse shuma e kërkuar është paguar apo jo. Avokatja e pasagjeres ka bërë me dije se procedurat e përmbarimit do të vazhdojnë deri në momentin që pagesa të kryhet.
Ky nuk është rasti i parë i tillë për kompaninë ajrore. Në vitin 2018, autoritetet franceze sekuestruan një avion të Ryanair me 149 pasagjerë në bord për një mosmarrëveshje mbi subvencione të paligjshme. Në atë rast kompania pagoi një shumë prej rreth 525 mijë eurosh. /skyweb.al















