Ashtu siç paralajmëroi një ditë më parë skyweb.al, çmimi i karburanteve në Shqipëri është rritur sot ndjeshëm, duke e çuar një litër naftë dhe benzinë në rreth 198 deri në 199 lekë në pikat e tregtimit në vend.
Praktikisht, tregu është vetëm një hap larg kufirit prej 200 lekësh për litër, ndërsa diferenca prej 1 leku duket më shumë si një efekt psikologjik sesa si një lehtësim real për konsumatorët.
Shtrenjtimi me rreth 5 deri në 6 lekë për litër ishte paralajmëruar që dje nga skyweb.al, bazuar në të dhënat e marra nga tregu. Sipas informacioneve të siguruara, kompanitë e tregtimit të naftës kishin nisur përgatitjet për reflektimin e çmimeve të reja që nga mbrëmja e kaluar, ku në disa pika karburanti kishin filluar edhe ndryshimet në tabelat elektronike.
Nesër rritet sërish çmimi i karburanteve, sa do të kushtojë një litër naftë dhe benzinë
Në shkrimin e publikuar dje, skyweb.al raportoi se nisja e javës pas një fundjave të gjatë do t’i gjente shqiptarët me çmime më të larta të karburanteve.
Burime nga tregu bënë të ditur se rritja lidhej me lëvizjet në tregjet ndërkombëtare, në kushtet e tensioneve të shtuara në Lindjen e Mesme.
Rritja e re e çmimeve pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te kostot e transportit, si edhe te shpenzimet e përditshme të qytetarëve. Kjo sepse tregu shqiptar i karburanteve mbetet i ekspozuar ndaj zhvillimeve të jashtme dhe çdo lëvizje në bursat ndërkombëtare reflektohet shumë shpejt edhe në çmimet me pakicë në vend.
Me çmimin aktual pranë nivelit 200 lekë për litër, karburantet po rikthehen sërish në një nga shqetësimet kryesore për konsumatorët dhe bizneset, sidomos në një periudhë kur çdo rritje e tillë përcillet zinxhir edhe në çmime të tjera të ekonomisë. /skyweb.al















