Ekonomia europiane ka shfaqur një përmirësim të lehtë gjatë vitit 2025, por diferencat mes vendeve mbeten të theksuara, me Spanjën që udhëheq mes ekonomive të mëdha dhe Gjermaninë që mbetet në fund të renditjes.
Sipas të dhënave, Prodhimi i Brendshëm Bruto në Bashkimin Europian u rrit me 1.5 për qind në vitin 2025, nga 1.1 për qind që ishte një vit më parë.
Ndër ekonomitë e mëdha, Spanja shënoi rritjen më të lartë me 2.8 për qind, ndërsa Gjermania regjistroi vetëm 0.2 për qind, duke u renditur ndër performuesit më të dobët në Europë. Italia u rrit me 0.5 për qind, ndërsa Franca me 0.8 për qind.

Në nivel më të gjerë, Irlanda rezulton një rast i veçantë me rritje 12.3 për qind, e ndikuar kryesisht nga aktiviteti i kompanive shumëkombëshe dhe jo domosdoshmërisht nga ekonomia reale vendase. Pas saj vijnë Malta me 4 për qind dhe Qipro me 3.8 për qind.
Vendet e Europës Juglindore vijojnë të kenë ritme të larta rritjeje, me Maqedoninë e Veriut në 3.5 për qind, Kroacinë në 3.2 për qind dhe Bullgarinë në 3.1 për qind. Kjo lidhet me faktin se ekonomitë më pak të zhvilluara kanë më shumë hapësirë për të kapur ritmin e vendeve më të pasura.
Ekspertët theksojnë se një nga arsyet kryesore të performancës së dobët të Gjermanisë lidhet me rritjen e fortë të eksporteve kineze në tregjet globale, e cila ka goditur drejtpërdrejt ekonomitë europiane të orientuara drejt eksportit.
Në të kundërt, Spanja ka përfituar nga një model ekonomik më pak i varur nga eksportet industriale dhe nga rritja e popullsisë përmes emigracionit, çka ka ndikuar pozitivisht në zgjerimin e ekonomisë.
Turizmi ka qenë një tjetër faktor kyç në rritjen e Spanjës dhe vendeve të Mesdheut, duke kontribuar ndjeshëm në aktivitetin ekonomik.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se rritja e GDP-së nuk përkthehet domosdoshmërisht në përmirësim të mirëqenies për qytetarët. Në rastin e Spanjës, rritja është ndikuar edhe nga shtimi i popullsisë, ndërsa produktiviteti dhe pagat kanë mbetur relativisht të qëndrueshme.
Parashikimet tregojnë se Spanja do të vijojë të mbetet ekonomia me rritjen më të shpejtë mes vendeve të mëdha europiane edhe në vitin 2026, me një normë të pritshme prej 2.2 për qind. /euronews.com
















