Shteti ishullor i Tuvalusë në Oqeanin Paqësor rrezikon të bëhet vendi i parë në botë që zhduket për shkak të rritjes së nivelit të detit si pasojë e ndryshimeve klimatike.
Sipas vlerësimeve, deri në vitin 2050, ky vend me rreth 11 mijë banorë, i shpërndarë në nëntë ishuj, mund të përmbytet plotësisht. Në 30 vitet e fundit, niveli i detit në këtë zonë është rritur me rreth 15 centimetra mbi mesataren globale, një ndryshim që në praktikë po përkthehet në përmbytje të vazhdueshme dhe humbje të tokës.
Përballë kësaj situate, autoritetet kanë nisur procesin e zhvendosjes së popullsisë. Një marrëveshje e firmosur në vitin 2023 mes Tuvalusë dhe Australisë parashikon transferimin e 280 qytetarëve çdo vit, të cilëve do t’u ofrohen kushte për jetesë, punësim, arsim dhe shëndetësi.
Interesi për t’u larguar është shumë i lartë, me mijëra aplikime për një numër të kufizuar vendesh, ndërsa procesi i migrimit konsiderohet i pari i këtij lloji i planifikuar për arsye klimatike.
Paralelisht, Tuvalu po përgatitet edhe për një skenar të paprecedentë: transformimin në një shtet digjital. Institucionet po digjitalizohen, ishujt po skanohen në 3D dhe po punohet për përshtatjen e kuadrit ligjor që shteti të vazhdojë të ekzistojë virtualisht edhe nëse territori fizik zhduket.
Fenomeni nuk kufizohet vetëm në këtë vend. Sipas të dhënave ndërkombëtare, niveli i detit po rritet gjithnjë e më shpejt në shkallë globale, duke rrezikuar zona të tëra bregdetare në vende të ndryshme.
Rasti i Tuvalusë konsiderohet një paralajmërim i qartë për pasojat e ndryshimeve klimatike, ndërsa zhvendosja e popullsisë dhe zhdukja e territorit po kthehen në realitet. /skyweb.al
















