Shtetasit e huaj blenë mbi gjysmë miliardë euro prona në Shqipëri gjatë vitit të kaluar. Të dhënat janë bërë publike nga Banka e Shqipërisë në serinë e fundit statistikore të investimeve të huaja.
Më konkretisht, sipas Bankës Qëndrore investimet e shtetasve të huaj në blerje pronash arritën 560.9 milionë euro vitin e kaluar me një rritje të fortë dyshifrore krahasuar me vitin 2024, ku blerjet e pronave nga jo rezidentët rezultuan rreth 380 milionë euro.

Vitet e fundit blerjet e pronave nga shtetasit jashtë Shqipërisë janë rritur me ritme agresive duke u dyfishuar gati në një hark kohor prej vetëm 4 vitesh. BSH nuk i raporton të kategorizuara sipas vendeve të origjinës investimet në pasuritë e paluajtshme, por pjesa më e madhe e tyre vijnë nga shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë si Kosova, Maqedonia e Veriut apo edhe shqiptarët që jetojnë në vendet e BE-së.
Por veç shqiptarëve blerjet janë rritur edhe nga të huajt duke filluar nga Italia dhe deri në vendet nordike. Për pasojë aktualisht pronat janë sektori që zë peshën më të madhe të investimeve të huaja në ekonominë shqiptare me mbi 34 për qind të totalit.
Kërkesa nga jashtë është duke mbështetur një pjesë të madhe të zgjerimit të sektorit të ndërtimit, kryesisht në zonat bregdetare të vendit. Pavarësisht rritjes së çmimeve, vlera e pronave në bregdet mbetet ende në nivele konkurruese në raport jo vetëm me vendet e pasura të Bashkimit Europian, por edhe me ekonomitë e ngjashme fqinje. /kapitali.al
















