Gjermania po shqyrton një nismë të re ligjore që synon vendosjen e një takse për pijet me përmbajtje sheqeri, si dhe kufizimin e konsumit të pijeve energjike për të rinjtë nën moshën 16 vjeç. Kjo masë vjen si pjesë e përpjekjeve në rritje për të luftuar obezitetin tek fëmijët, një problem që po fiton mbështetje të gjerë politike në vend.
Propozimi pritet të hidhet në votim këtë të premte në Bundesrat, organi federal që përfaqëson 16 landerët gjermanë, duke shënuar një hap të parë drejt miratimit të mundshëm të një kuadri ligjor.
Edhe pse drafti nuk përcakton ende nivelin e saktë të taksës, ai parashikon që të ardhurat e mbledhura të përdoren për programe dhe iniciativa në fushën e shëndetit publik.
Kryeministri i Schleswig-Holstein, Daniel Günther, një nga nismëtarët e propozimit, theksoi se industria ushqimore duhet të inkurajohet të rishikojë përbërjen e produkteve të saj.
Një element tjetër i rëndësishëm i draftit është vendosja e kufizimeve për pijet energjike, për shkak të niveleve të larta të kafeinës, taurinës dhe sheqerit që ato përmbajnë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 100 vende në botë kanë vendosur tashmë taksa për pijet me sheqer, përfshirë rreth gjysmën e vendeve të Bashkimit Evropian, si Belgjika, Franca dhe Portugalia.
Megjithëse CDU, pjesë e së cilës është edhe Günther, kishte kundërshtuar një nismë të ngjashme në muajin shkurt, zhvillimet e fundit tregojnë për një ndryshim qëndrimi, me disa deputetë që tashmë e mbështesin atë, së bashku me të Gjelbrit dhe Socialdemokratët.
Sondazhet tregojnë gjithashtu mbështetje të konsiderueshme nga publiku, ku rreth 60% e qytetarëve gjermanë janë pro këtij propozimi.
Ndërkohë, një studim i publikuar në vitin 2024 nga studiues të Universitetit Teknik të Mynihut vlerëson se një taksë e ngjashme me atë të Mbretërisë së Bashkuar mund të ulë konsumin ditor të sheqerit me 2–3 gramë për person. /skyweb.al
















