Një fragment i një nofulle të gjetur thellë nën tokë në një shpellë në Somerset ka rishkruar historinë se kur dhe si qentë u bënë miqtë tanë më të mirë, shkruan BBC.
Analiza e ADN-së tregon se nofulla i përkiste një prej qenve më të hershëm të zbutur dhe se njerëzit jetonin ngushtë me ta në Britani rreth 15,000 vjet më parë, mijëra vite përpara se të zbuteshin kafshët e fermës apo macet të hynin në shtëpitë tona.

Ky zbulim e shtyn edhe më herët kohën kur qentë e parë evoluan nga paraardhësit e tyre ujqër, me rreth 5,000 vjet.
Ai gjithashtu sugjeron se miqësia mes qenve të parë dhe njerëzve të epokës së gurit ka ekzistuar pothuajse që në fillim, sipas Dr. William Marsh nga Muzeu i Historisë Natyrore.
“Kjo tregon se 15,000 vjet më parë qentë dhe njerëzit kishin tashmë një marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushtë dhe kjo nofull e vogël, që duket si diçka e parëndësishme, ka ndihmuar të zbulohet e gjithë historia njerëzore se si nisi ky partneritet.”
Qentë e parë ishin pasardhës të ujqërve gri që qëndronin pranë kampeve njerëzore në fund të Epokës së Akullnajave, duke u ushqyer me mbetje dhe duke u bërë gradualisht më të butë.
Me kalimin e kohës, njerëzit filluan t’i përdornin këto kafshë për gjueti, ruajtje dhe gjurmim, duke i kthyer në partnerë pune dhe jo më grabitqarë të egër.
Pas qindra brezash përzgjedhjeje nga njerëzit, qentë që u krijuan kishin feçe më të shkurtra, dhëmbë më të vegjël dhe një shumëllojshmëri të madhe përmasash – nga qentë e vegjël shtëpiakë deri te rojet e mëdhenj.
Marsh e bëri zbulimin rastësisht gjatë projektit të doktoraturës. Nofulla ishte gjetur në gërmime të viteve 1920 në shpellën Gough, në Cheddar Gorge, vend që sot njihet për djathin e famshëm.
Ajo kishte qëndruar për dekada në një sirtar muzeu, pasi mendohej se ishte një mostër e zakonshme. Por studiuesi i ri hasi në një punim shkencor të vjetër që sugjeronte se mund t’i përkiste një qeni.
Pas analizës gjenetike, ai zbuloi me habi dhe gëzim se ishte vërtet një qen, duke dhënë provën e parë të qartë se qentë ekzistonin mijëra vite më herët nga sa mendohej.
Fillimisht i pabesueshëm për rezultatet, Marsh i tregoi kolegut të tij Dr. Lachie Scarsbrook, i cili reagoi me skepticizëm, por më pas pranoi rëndësinë e madhe të zbulimit.
Me identifikimin e kësaj nofulle si qen, studiuesit mundën të krahasojnë ADN-në me mostra të tjera të ngjashme në Evropën Perëndimore dhe Anadollin Qendror (Turqia e sotme) dhe rezultoi se të gjitha ishin qen.
“Për vite me radhë kemi pasur mostra që ishin mes ujqërve dhe qenve dhe nuk dinim si t’i klasifikonim. Kjo nofull e vogël ishte çelësi për të identifikuar qen të lashtë në gjithë Evropën,” tha Scarsbrook.
Analizat e mëtejshme treguan se këta qen jo vetëm ishin gjenetikisht të ngjashëm, por edhe ushqeheshin njësoj si njerëzit me të cilët jetonin, duke dëshmuar një lidhje shumë të afërt.
Studime të tjera kanë gjetur më parë kafshë të ngjashme me qen në shpella të Gjermanisë, Italisë dhe Zvicrës, por ky është studimi i parë që e vërteton përmes ADN-së.
Një studim tjetër tregoi se qentë modernë rrjedhin nga një origjinë e dyfishtë, e përhapur në pjesë të mëdha të botës që në fund të Epokës së Akullnajave.
Këto zbulime tregojnë se lidhja mes njeriut dhe qenit është shumë më e lashtë nga sa mendohej dhe vazhdon të jetë po aq e fortë edhe sot.
















