Administrata tatimore do të zgjerojë fokusin e kontrolleve përtej sektorëve tradicionalë si ndërtimi, turizmi dhe hidrokarburet, duke synuar tashmë edhe sektorin mjekësor dhe atë të estetikës, të cilët konsiderohen me risk të lartë informaliteti.
Në një konferencë për shtyp, ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se kontrollet e ndërmarra gjatë vitit të kaluar në sektorët kryesorë kanë sjellë rritje të ndjeshme të të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Sipas tij, pas këtyre rezultateve, administrata tatimore do të zhvendosë vëmendjen drejt sektorëve të shërbimeve mjekësore dhe kujdesit estetik, ku janë evidentuar problematika me deklarimin e të ardhurave dhe pagave.
Nga ana tjetër, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, bëri të ditur se në fokus do të jenë rreth 10 mijë biznese që operojnë në këtë sektor, me një total prej 45 mijë të punësuarish.
Ai njoftoi se më 1 prill do të publikohen pagat indikative për sektorin mjekësor dhe estetik, çka pritet të shërbejë si bazë për verifikimet dhe kontrollet në terren.
Pas përfundimit të kësaj faze, kontrollet do të shtrihen edhe në sektorin e shitjes së produkteve bujqësore.
Ky zhvillim ngre pikëpyetje mbi nivelin real të formalizimit në sektorin e shëndetësisë dhe estetikës, veçanërisht në raport me deklarimin e pagave dhe kontributeve, duke sinjalizuar një zhvendosje të fokusit të tatimeve nga ndërtimi drejt shërbimeve. /skyweb.al
















