Në kulmin e krizës së çmimeve të naftës dhe debatit për lehtësimin e barrës fiskale mbi qytetarët dhe bizneset, shteti shqiptar ka shitur sëfundmi në ankand rreth 2.3 milion litra naftë të sekuestruar me një çmim minimal, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e menaxhimit të kësaj pasurie, tashmë publike.
Sipas dokumentacionit të konsultuar nga skyweb.al, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ka zhvilluar sëfundmi një ankand, përmes së cilit është shitur një sasi prej 1,966 tonësh naftë detare (gasoil 1000 PPM), i sekuestruar më herët me vendim gjykate ndaj një subjekti privat.
Nafta në fjalë është karburant i cilësisë më të mirë.

Nafta, e cila ndodhej e depozituar në Porto Romano po në depozitat e Gega Oil, është shitur me një vlerë totale prej 50,877,600 lekësh pa TVSH, që përkthehet në rreth 21.7 lekë për litër, një çmim shumë herë më i ulët se ai i tregut.
Në vend që kjo sasi të përdorej si një instrument për të amortizuar efektet e rritjes së çmimeve, duke ndikuar qoftë edhe pjesërisht në uljen e kostos për konsumatorët, shteti ka zgjedhur ta “falë” atë duke e shitur me një çmim minimal.
Blerësi rezulton të jetë po kompania Gega Oil Group, në depot e së cilës ndodhej edhe vetë nafta.
Kjo do të thotë se kompania nuk ka pasur kosto shtesë logjistike apo transporti.
Pasi të hidhet në treg, kësaj nafte do t’i shtohen detyrimet fiskale, përfshirë akcizën, TVSH-në dhe taksën e qarkullimit, duke bërë që çmimi final për konsumatorët të arrijë në 218 lekë për litër sipas çmimeve të Bordit.
Kjo situatë krijon një kontrast të fortë: Nga njëra anë, shteti shet një pasuri publike me rreth 21.7 lekë për litër, ndërsa nga ana tjetër, qytetarët e blejnë të njëjtin produkt në treg me një çmim disafish më të lartë. /skyweb.al
















