Institucionet kryesore të Bashkimit Evropian, Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian kanë vendosur të ndalojnë përdorimin e imazheve dhe videove të krijuara tërësisht nga Inteligjenca Artificiale në komunikimet e tyre zyrtare, raportoi “Politico”.
Ky vendim synon të ruajë besueshmërinë dhe të forcojë besimin e publikut, në një kohë kur përmbajtjet sintetike po e bëjnë gjithnjë e më të paqartë dallimin mes materialeve reale dhe atyre të fabrikuara.
Sipas zëdhënësit Thomas Regnier, materialet vizuale që shpërndahen për publikun apo për mediat nuk do të përfshijnë përmbajtje të gjeneruar nga IA, duke nënvizuar se autenticiteti mbetet një prioritet kyç.
Megjithatë, përdorimi i teknologjive të IA-së nuk është përjashtuar plotësisht: ato mund të shfrytëzohen për përmirësimin e materialeve ekzistuese, si rritja e cilësisë së imazheve apo videove, por jo për krijimin e tyre nga e para.
Ekspertët e fushës vlerësojnë se kjo qasje është e arsyeshme për shkak të rreziqeve që lidhen me dezinformimin, por paralajmërojnë se mund të kufizojë efektivitetin e komunikimit në një mjedis dixhital që ndryshon me shpejtësi.
Ky zhvillim vjen në vijim të një hetimi të nisur nga Komisioni Evropian ndaj platformës X dhe chatbot-it të saj Grok, në kuadër të Akti i Shërbimeve Dixhitale, ku në fokus kanë qenë sistemet e rekomandimit dhe përmbajtjet problematike si imazhet e seksualizuara. /skyweb.al















