Në një takim me Asamblenë e PS-së në njësinë numër 4 në Tiranë, kryeministri Edi Rama premtoi dyfishimin e shpërblimit për prindërit ose kujdestarët e fëmijëve me aftësi të veçanta. Sipas kryeministrit, shteti do u paguajë sigurimet shoqërore kujdestarëve të fëmijëve me aftësi ndryshe.
“Qeveria do të ndihmojë njerëzit, që janë me aftësi ndryshe. Shteti do paguajë sigurimet shoqërore për kujdestarët e fëmijëve me aftësi ndryshe. Do dyfishojmë shpërblimet për prindërit e fëmijëve me aftësi të veçanta. Po ngremë një ekonomi që po rrit mundësitë. Rritja vazhdon që të jetë e qëndrueshme. Shpresojmë që rritja ekonomike mos të goditet nga ajo që ndodh në arenën ndërkombëtare”, u shpreh kreu i qeverisë.
Duke folur për situatën e naftës, kryeministri u shpreh se do të ketë kompani publike për karburantet, duke nënvizuar se qeveria dëshiron që kjo kompani të jetë furnizuese në treg.
“Nafta është një problem edhe përtej krizës. Ne do të hyjmë në tregun e naftës me një kompani publike. Do të hyjmë, që konsumatorët tonë të karburanteve, mos të paguajnë më shumë nga se iu takon. Markimi i naftës ka qenë një problem më vete. Me kompaninë publike që kemi krijuar, ne do të nxjerrim një tjetër ngjyrues, që nuk manipulohet dot. Kjo do ndihmojë, që të formalizojmë tregun e naftës.
Kjo, sepse ekziston një sasi nafte që është jashtë radarëve të shtetit. Do të shqyrtojmë edhe naftën tranzit. Edhe për këtë kemi produkt me një kompani, ku ka aksione shteti shqiptar për të ndjekur naftën tranzit, që deri më sot është ndjekur me makina. Ne duam që kompania publike të jetë furnizues në treg. Kjo sjell një çmim real për naftën, bazuar mbi bursë, që jep fitime, por mos të ketë abuzime”, deklaroi ai. /skyweb.al
















