Mbyllet përfundimisht përplasja ligjore për asetet e mbetura të HEC-it të Kalivaçit, pasuritë e sekuestruara nga shteti shqiptar ndaj biznesmenit Francesco Bechetti, të cilat u kthyen në objekt një beteje të fortë mes kompanive private.
Sipas dokumenteve të konsultuara nga skyweb.al, bëhet fjalë për një ankand publik me vlerë fillestare 21.7 milionë lekë për shitjen e pajisjeve, makinerive dhe automjeteve të shoqërisë “Energji Kalivaç”, një projekt që nuk u përfundua kurrë dhe që tashmë po shitet si hekurishte.

Në këtë procedurë morën pjesë disa operatorë, por gara reale u përqendrua mes “Shijaku” dhe “Cekrezi Metal”, të cilat paraqitën oferta identike me vlerën fillestare dhe u kualifikuan për fazën pasuese.
Pas vlerësimit të dokumentacionit, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara shpalli fituese kompaninë “Cekrezi Metal”, vendim që u kundërshtua menjëherë nga “Shijaku”, duke hapur një konflikt të fortë administrativ.
Në ankesën e saj, “Shijaku” pretendon se rivali ka shkelur rregullat bazë të ankandit, duke dorëzuar ofertën në dy zarfe të ndara, në kundërshtim me kërkesën për një zarf të vetëm.

“Dorezimi i dy zarfeve të ndara përbën shkelje të detyrueshme të formës së dorëzimit të ofertës dhe cenon sekretin e saj”, thuhet në pretendimet e kompanisë, e cila argumenton se kjo praktikë krijon mundësi për manipulim dhe cenon konkurrencën e ndershme.
Po ashtu, kompania ka ngritur dyshime edhe për kriterin e eksperiencës, duke theksuar se rivali “nuk provon përvojë mbi trevjeçare”, pasi dokumentacioni i paraqitur lidhet vetëm me një kontratë të vitit 2023.
Nga ana tjetër, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara i ka rrëzuar këto pretendime, duke argumentuar se dorëzimi i ofertës në dy zarfe nuk përbën shkelje thelbësore.
Sipas saj, “oferta, pavarësisht se de facto është dorëzuar në dy zarfe, de jure është dorëzuar sipas përcaktimeve të ligjit”, pasi të dy zarfet kanë qenë të mbyllur dhe janë hapur në prani të operatorëve.
Autoriteti e ka cilësuar këtë si një “devijim të vogël” që nuk ndikon në vlefshmërinë e ofertës, ndërsa për kriterin e eksperiencës thekson se “Cekrezi Metal” ka paraqitur dokumentacion që provon aktivitet në sektorin publik dhe privat.
Përplasja kaloi në Komisionin e Prokurimit Publik, ku “Shijaku” këmbënguli se procedura ishte zhvilluar në shkelje të ligjit dhe se duhej pezulluar menjëherë pas paraqitjes së ankesës.
Por në vendimin përfundimtar, KPP i rrëzoi të gjitha pretendimet e kompanisë, duke vendosur: “Të mos pranojë ankesën… të paraqitur nga kandidati blerës ‘Shijaku’ SHPK”.
Komisioni urdhëroi gjithashtu që autoriteti shitës “të vijojë me hapat e mëtejshëm të procedurës”, duke vulosur në praktikë fitoren e “Cekrezi Metal” për blerjen e aseteve të Kalivaçit. /skyweb.al
















