Gjatë një takimi me qytetarët në Kashar, Rama tha se deri tani janë realizuar rreth 300 mijë legalizime, ndërsa një kategori ndërtimesh nuk mund të përfitojnë për shkak të kufizimeve ligjore. “Janë bërë shumë legalizime, janë bërë rreth 300 mijë. Një pjesë e tyre janë të pamundura me ligjin aktual, jo është mbi kolektor, jo është mbi rrugë”, u shpreh ai.
Kryeministri theksoi se puna do të vijojë për pjesën tjetër të ndërtimeve që mund të legalizohen, ndërsa ngriti shqetësimin për mungesën e drejtësisë në renditjen e aplikimeve. Sipas tij, ka raste kur qytetarë që kanë aplikuar në vitin 2010 vijojnë të presin, ndërsa të tjerë që kanë aplikuar në 2018 e kanë përfituar më shpejt.
“Do bëhet një sistem tani me kritere të qarta, me vite dhe njerëzve do u thuhet prit se jemi në vitin X. Kjo do krijojë më shumë qartësi për njerëzit”, deklaroi Rama, duke shtuar se procesi i legalizimeve do të vijojë çdo vit.
Ai bëri me dije se paralelisht po vijon edhe procesi i dixhitalizimit të hartave kadastrale, duke theksuar përmasat e punës së kryer. “Deri më tani janë skanuar 54 milionë fletë. Llogariteni vetë sa punë e madhe është bërë”, tha kryeministri.
Në të njëjtin takim, Rama foli edhe për zhvillimet ekonomike dhe turizmin, duke theksuar rritjen e ndjeshme të numrit të vizitorëve dhe investimeve të huaja.
“Kur kemi filluar këtë punë, Shqipëria kishte 2 milionë e ca turistë. Sot kemi arritur në 12 milionë me pasaportë të huaj”, u shpreh ai, duke shtuar se edhe investimet e huaja janë rritur nga 300-400 milionë euro në vit në mbi 1.5 miliardë euro.
Megjithatë, Rama pranoi se rritja ekonomike ka sjellë edhe sfida, veçanërisht në raport me infrastrukturën dhe shërbimet publike. “Rritet ekonomia, ndërtohen më shumë apartamente, por kjo rritje nuk ecën në të njëjtin ritëm me infrastrukturën dhe shërbimet”, tha ai, duke përmendur si problematikë nevojën për më shumë shkolla dhe përmirësim të shërbimit shëndetësor.
Sipas tij, megjithë progresin e bërë, vendi përballet ende me sfida që kërkojnë zgjidhje afatgjata.
















