Tenderi për ndërtimin e Portit të Ri tregtar në Porto Romano është anuluar zyrtarisht, sipas një njoftimi të publikuar në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik.
Procedura, e zhvilluar nga Autoriteti Portual Durrës, kishte si objekt ndërtimin e portit të ri tregtar në fazën e parë, me një fond limit prej rreth 39.3 miliardë lekësh pa TVSH, ose afro 396.7 milionë euro.
Sipas njoftimit zyrtar, anulimi ka ardhur pasi në fazën përfundimtare të procedurës nuk është paraqitur asnjë ofertë e vlefshme. Konkretisht, kompania e vetme e mbetur në garë nuk ka dorëzuar ofertë financiare brenda afatit të përcaktuar.

Vendimi është marrë më 9 mars 2026 nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, i cili konstatoi mungesën e ofertave në sistemin elektronik të prokurimit.
Anulimi i këtij tenderi vjen në një moment kur projekti i portit të ri ka qenë në qendër të debateve të forta publike dhe politike. Për këtë projekt ka pasur edhe reagime nga biznesi ndërkombëtar, përfshirë thirrje nga kompani amerikane për rishikimin e prioriteteve dhe transparencës së investimit.
Porti i ri në Porto Romano konsiderohej një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend, me synimin për të zhvendosur aktivitetin tregtar nga porti aktual i Durrësit dhe për të krijuar një nyje të re logjistike në rajon. /skyweb.al
















