Blegtorët prodhues të qumështit dolën në protestë përpara Ministrisë së Bujqësisë, duke kundërshtuar skemën kombëtare të mbështetjes për vitin 2026 dhe duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga qeveria.
Me pankarta në duar si “Stop importit të qumështit”, “Formalizoni tregun e bulmetit” dhe “Bojkotoni firmat serbe”, ata shprehën pakënaqësinë për atë që e konsiderojnë një skemë të papërshtatshme dhe të shkëputur nga realiteti i sektorit.
Sipas tyre, skema e re nuk reflekton diskutimet e mëparshme dhe nuk adreson kostot e larta me të cilat përballen çdo ditë. Ata kërkojnë rritje të mbështetjes për blegtorinë, subvencionim të naftës dhe masa për kufizimin e importeve që, sipas tyre, po dëmtojnë prodhimin vendas.
Një nga kërkesat kryesore mbetet rritja e subvencioneve, duke theksuar se fermerët shqiptarë përfitojnë disa herë më pak mbështetje krahasuar me vendet e rajonit. Ata kërkojnë naftë pa taksa për fermerët ose rishikim të taksës së qarkullimit, si dhe ngritjen e një laboratori për sigurinë e produkteve.
Sektori, sipas tyre, po goditet rëndë nga rritja e çmimit të karburantit, kostot e ushqimit për bagëtitë dhe shpenzimet bazë të prodhimit. Në këtë situatë, ata theksojnë se mungesa e mbështetjes shtetërore po e bën gjithnjë e më të vështirë vijimin e aktivitetit.
Blegtorët ngrenë gjithashtu shqetësime për informalitetin në treg dhe për TVSH-në e pabarabartë, të cilat, sipas tyre, krijojnë konkurrencë të pandershme për prodhuesit vendas.
Në përfundim, ata kërkojnë krijimin e një bordi për produktet e shportës, duke argumentuar se pa ndërhyrje nuk mund të përballojnë konkurrencën me fermerët e rajonit dhe Bashkimit Europian.
Aktualisht, përfaqësuesit e tyre janë në pritje të një takimi zyrtar me ministrin e Bujqësisë dhe ministren e Financave për të diskutuar kërkesat dhe zgjidhjet e mundshme. /skyweb.al
















