Fondacioni Vodafone në Shqipëri ka nisur zyrtarisht zbatimin e programit Instant Network Emergency Response (INER), duke e renditur Shqipërinë mes shtatë qendrave të reja lokale pjesë e rrjetit global të reagimit të menjëhershëm në raste emergjencash, të Vodafone Group Foundation.
Lajmi u bë me dije pas një trajnimi tre-ditor (2-4 mars), gjatë të cilit ekipet teknike shqiptare u trajnuan në ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe operacionale për ndërhyrje të menjëhershme në vendosjen e lidhjes/konektivitetit në kohë krizash dhe emergjencash civile.

Kjo qendër, e para në Shqipëri e këtij lloji, disponon mjetet dhe bazën e nevojshme materiale në gatishmëri të plotë 24 orë në 7 ditë për të mundësuar dhe realizuar ndërhyrjen e menjëhershme dhe efektive me ekipe të specializuara gjatë krizave apo rasteve të katastrofave natyrore.
Zgjerimi i rrjetit global përfshin gjithashtu Çekinë, Republikën Demokratike të Kongos, Egjiptin, Irlandën, Mozambikun dhe Portugalinë, duke iu shtuar katër qendrave ekzistuese në Mbretërinë e Bashkuar, Holandë, Gjermani dhe Greqi. Sipas Vodafone Group Foundation, ky zgjerim synon të rrisë gatishmërinë globale dhe të përshpejtojë reagimin ndaj krizave.

Ngritja e kësaj qendëre në Shqipëri, përmes aktivizimit të menjëhershëm të infrastrukturës së rrjetit dhe përdorimit të zgjidhjeve alternative të lidhjes, përfshirë teknologjitë satelitore, bën të mundur që Rrjeti numër 1 në Shqipëri të jetë partner i domosdoshëm ndaj institucioneve dhe autoriteteve publike kombëtare, shërbimeve të emergjencës dhe komuniteteve të prekura, duke siguruar aksesin në komunikim, si shërbim jetik.
Pajisjet e vendosura në Shqipëri në kuadër të programit INER përfshijnë një sërë zgjidhjesh teknologjike për rivendosjen e komunikimit në fazat e para të emergjencave, më konkretisht në:
- njësi Wi-Fi të sigurta
- stacione karikimi
- gjeneratorë me energji diellore
- mjete të shpejta për rikthimin e lidhjes
Këto pajisje janë projektuar për të rikthyer komunikimin brenda 72 orëve të para, një periudhë kritike për koordinimin e operacioneve të shpëtimit dhe ndihmës. Qendëra në Shqipëri do të funksionojë si një aset kombëtar në mbështetje të institucioneve si Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Ministria e Brendshme, Forcat e Armatosura dhe Policia e Shtetit, si dhe shërbimi i emergjencës 112.
Qendra lokale synon të përmirësojë shpejtësinë e ndërhyrjes në raste emergjente, të rrisë efikasitetin e kostos dhe përdorimit të energjisë, të forcojë kapacitetet vendase përmes trajnimit të inxhinerëve shqiptarë dhe të mundësojë aksesin në zona të thella apo vështira.

Justin Waller, drejtues i programit INER në Vodafone Group Foundation, theksoi se modeli i ri me qendra lokale “mundëson reagim më të shpejtë dhe më efektiv, duke u bazuar edhe në përvojat nga operacionet e mëparshme emergjente.”
Ndërsa Lisa Felton, drejtuese e Vodafone Group Foundation, u shpreh se krijimi i qendrave të reja “dëshmon angazhimin për të përmirësuar përgatitjen dhe reagimin ndaj emergjencave përmes përdorimit të burimeve dhe ekspertizës lokale.”

Programi përfshin gjithashtu trajnime të specializuara, teknike për inxhinierët dhe vullneraët e Vodafone Albania, si dhe trajnime në kushte të rrezikshme (HEAT) që mundësojnë gatishmërinë dhe përballimin e situatave gjatë kohës së krizave.
Qendra në Shqipëri do të financohet bashkërisht nga Vodafone Group Foundation dhe Vodafone Albania, në kuadër të bashkëpunimit afatgjatë për forcimin e kapaciteteve të reagimit ndaj emergjencave.
Ky zhvillim e pozicionon Shqipërinë si një nyje të rëndësishme në rrjetin ndërkombëtar të reagimit ndaj krizave, duke rritur kapacitetin e vendit për të përballuar situata emergjente dhe për të mbështetur komunitetet e prekura./skyweb.al















