Pas mbledhjes së qeverisë këtë të premte, ministrja e Ekonomisë dhe e Inovacionit Delina Ibrahimaj njoftoi se personat e verbër do të përjashtohen nga detyrimet tatimore.
“Ne kemi bërë një rregullim ligjor që parashikon që për të gjithë ata persona të verbër do të kemi një përjashtim tatimor dhe do të përfitojnë nga lehtësirat fiskale që legjislacioni ynë ka.”, tha Ibrahimaj.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj foli edhe për krizën e krijuar si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme, ku përpos çmimit të karburanteve janë prekur edhe produkte të tjera. Sa i takon produkteve të shportës, sipas ministres Ibrahimaj, ka patur rritje vetëm të perimeve.
“Produktet e shportës janë mbi 80 dhe asnjë nga produktet e tjera të shportës nuk ka patur rritje për shkak të luftës. Inflacioni në muajin mars shënoi nivelin 2.6 % që është një nivel i kontrollueshëm.”, deklaroi Ibrahimaj. Më tej ajo shtoi se në rast se do të vazhdojë të ketë një rritje të mëtejshme, “do të ndërhyjmë me një akt që parashikon subvensionim për rritjen e çmimeve për kategoritë në nevojë”.















