Qeveria po përgatit një skemë të re për të lehtësuar aksesin në banesa, duke kombinuar kredi me interes zero dhe krijimin e një fondi kombëtar për strehimin.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë si një çështje të ndjeshme, duke theksuar se kërkon trajtim të kujdesshëm dhe zgjidhje konkrete.
Gjatë një takimi në Durrës, Rama bëri të ditur se qeveria ka hyrë në fazën e përpunimit të një plani të ri për strehim të përballueshëm, ndërsa paralelisht po rishikohet edhe baza ligjore që rregullon këtë sektor.
Aktualisht, një pjesë e fondeve për strehimin sigurohet nga një tarifë prej 3% që mblidhet nga lejet e ndërtimit. Sipas kryeministrit, këto të ardhura do të përqendrohen në një fond të vetëm kombëtar, i cili më pas do të shpërndahet sipas nevojave reale për të ndihmuar qytetarët në blerjen e banesave.
Ai theksoi se kërkesa më e madhe për strehim mbetet në Tiranë dhe më pas në Durrës, ndërsa përmendi edhe rastin e Himarës, ku ndonëse ka një numër të lartë lejesh ndërtimi dhe gjeneron të ardhura nga kjo tarifë, nevoja për strehim është më e ulët. Për këtë arsye, sipas tij, fondet do të menaxhohen në mënyrë të centralizuar dhe do të rishpërndahen për të adresuar zonat me më shumë kërkesë.
Në kuadër të kësaj skeme, shteti pritet të ofrojë edhe garanci bankare, ndërsa një nga shtyllat kryesore do të jenë kreditë me interes zero për kategori të caktuara si mësuesit, efektivët e policisë dhe ushtarakët.
Rama bëri të ditur se kjo skemë është testuar për herë të parë vitin e kaluar dhe ka dhënë rezultate, ndërsa këtë vit synohet zgjerimi i saj për të përfshirë më shumë përfitues.
Sipas tij, strehimi mbetet një nga çështjet më të ndjeshme sociale dhe do të trajtohet me prioritet në politikat e qeverisë. /skyweb.al
















