Policia e Tiranës ka zbuluar një ambient të përshtatur si laborator për falsifikimin e diplomave të shkollave të mesme, universiteteve të ndryshme, si dhe licencave profesionale. Uniformat blu bëjnë me dije se gjatë operacionit të koduar “Laboratori”, u arrestua një 51-vjeçar.
“Seksioni i Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i një pune të mirëorganizuar, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar ‘Laboratori’.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi A. T., 51 vjeç.
Gjatë kontrollit të banesës së 51-vjeçarit, në Zall-Bastar, shërbimet e Policisë zbuluan një ambient të fshehtë, të kthyer në laborator për prodhimin dhe falsifikimin e diplomave të shkollave të mesme, universiteteve, programeve master dhe licencave profesionale.”, njoftoi Policia. /skyweb.al
















