Rreth 100 pasagjerë kanë mbetur të bllokuar në aeroportin e Milanos pasi avioni i tyre u nis pa ta, si pasojë e vonesave të gjata në kontrollet kufitare. Ngjarja ka ndodhur këtë të diel në aeroportin Linate, duke krijuar tension dhe pakënaqësi mes udhëtarëve.
Pasagjerët ishin planifikuar të udhëtonin drejt Manchester me një fluturim të kompanisë EasyJet, por nuk arritën të hipnin në bord për shkak të radhëve të gjata që zgjatën deri në tre orë. Sipas raportimeve, vonesat lidhen me zbatimin e rregullave të reja në kontrollin e dokumenteve.
Ndërkohë, avioni është nisur sipas orarit të parashikuar, duke lënë pas dhjetëra udhëtarë që nuk arritën të kalonin në kohë procedurat e sigurisë dhe kontrollit kufitar.
Situata ka nxjerrë në pah problemet organizative në aeroport, ndërsa pasagjerët kanë kërkuar shpjegime dhe zgjidhje nga autoritetet dhe kompania ajrore për këtë incident. /skyweb.al
















