Një udhëzim i shpërndarë për deputetët e Partisë Socialiste dhe drejtuesit e maxhorancës tregon një qasje më të kujdesshme ndaj protestës qytetare kundër projektit në Zvërnec.
Në dokumentin shpërndarë deputetëve, publikuar nga Kapitali, kërkohet që reagimet publike të shmangin arrogancën, cinizmin dhe akuzat ndaj protestuesve.
Deputetëve u kërkohet të flasin me mirëkuptim, të bëjnë dallim mes protestës qytetare dhe protestave të opozitës, si edhe të pranojnë se shumica e pjesëmarrësve janë qytetarë të sinqertë.

Udhëzimi përcakton edhe mesazhet që duhet të përcillen publikisht.
Sipas tij, Edi Rama dhe Partia Socialiste duhet të paraqiten si të hapur ndaj qytetarëve, duke sjellë si shembuj protestën kundër armëve kimike dhe protestën e studentëve. Kjo pikë, pra paralelizimi me dy protesta ku në fund qeveria është tërhequr mund të lexohet edhe si sinjal për një tërheqje të tretë.
Një nga pikat kryesore lidhet me faktin se, sipas dokumentit, projekti nuk është ende gati dhe studimi mjedisor sapo ka nisur.
Në këtë pjesë, maxhoranca këshillohet të theksojë se janë angazhuar ekspertë dhe arkitektë ndërkombëtarë për hartimin e projektit.
Dokumenti kërkon gjithashtu që protestuesit të mos sulmohen drejtpërdrejt, por të flitet vetëm për “elementë manipulativë” brenda protestës.
Në tekst përmenden aktorë politikë nga Shqipëria, zëra nga rajoni dhe amplifikime në rrjete sociale, përfshirë edhe Iranin.
Një tjetër mesazh lidhet me investitorët e huaj.
Deputetëve u kërkohet të nënvizojnë se Shqipëria nuk ka luksin të largojë investitorët e mëdhenj dhe se turizmi nuk mund të zhvillohet vetëm me Airbnb apo struktura hoteliere me 3 dhe 4 yje.
Në fund, udhëzimi përmban edhe një formulim që lë hapur mundësinë e ndryshimeve.
Në dokument thuhet se qeveria dhe maxhoranca janë të hapura për dialog, për të dëgjuar palët dhe “pse jo, për të përmirësuar njëri-tjetrin”.
Kjo pjesë mund të lexohet si një sinjal zbutjeje politike ndaj protestës, në një moment kur reagimi qytetar ka marrë vëmendje të gjerë publike. /skyweb.al















