Qeveria po përgatit ngritjen e Agjencisë Shtetërore të Pronës, e cila do të përqendrojë administrimin e pasurive të paluajtshme që janë në pronësi të shtetit.
Sipas projektligjit të hedhur për konsultim publik nga qeveria, Agjencia do të marrë në administrim pronat shtetërore që nuk u janë caktuar ministrive, bashkive apo institucioneve të tjera. Ajo do t’i identifikojë, inventarizojë, përditësojë dhe do të ndjekë regjistrimin e tyre në regjistrin kadastral.
ASHP-ja do të kryejë edhe procedurat për shitjen, privatizimin, shkëmbimin, dhënien me qira ose enfiteozë të pronave që administron. Më pas këto prona do të jepen përmes procedurave konkurruese, ndërsa hollësitë do të caktohen nga qeveria.
Agjencia do t’i propozojë Kryeministrit kalimin e pronave shtetërore te bashkitë ose institucionet publike, ndryshimin e administruesit dhe, në raste shkeljesh, marrjen mbrapsht të pronës së transferuar.
Bashkitë do të raportojnë çdo vit për përdorimin e pronave të përfituara. Nëse prona përdoret në kundërshtim me qëllimin e caktuar dhe shkelja nuk korrigjohet, transferimi mund të revokohet edhe pa pëlqimin e bashkisë.
Për pronat ku shteti dhe qytetarët janë bashkëpronarë, ndarja parashikohet të bëhet me marrëveshje dhe vlerësim nga ekspert i licencuar. Pjesa e pronarit privat nuk mund të jetë më e vogël se pjesa që i njeh titulli i pronësisë, ndërsa diferenca duhet të kompensohet financiarisht.
Ndryshimi nuk prek regjistrimin e zakonshëm të banesave dhe tokave private, i cili mbetet te Kadastra. Projektligji nuk parashikon as shkrirjen e ASHK-së apo të Agjencisë së Trajtimit të Pronave.
Procedurat e nisura do të përfundohen nga institucionet që i kanë hapur, ndërsa kontratat ekzistuese mbeten në fuqi. Dokumentet për kontratat e qirasë, shitjes ose shkëmbimit të pronave shtetërore duhet t’i kalojnë agjencisë së re brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit. /skyweb.al















