Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka uruar nxënësit dhe mësuesit me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor, duke theksuar se arsimimi cilësor është themeli i së ardhmes së vendit.
Në mesazhin e tij, kreu i shtetit u kujtoi nxënësve se çdo ditë në shkollë është një mundësi për të mësuar, për të zbuluar dhe për të ëndërruar.
“Shkolla nuk është thjesht një vend ku marrim dije. Është vendi ku përgatitemi të marrim përgjegjësi, ku mësojmë të njohim botën, vendin tonë, historinë, kulturën dhe vlerat e tij”, u shpreh Begaj.
Presidenti përcolli një urim të veçantë për fëmijët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, duke u dëshiruar një vit të mbarë, të suksesshëm dhe të bukur.
Begaj falënderoi gjithashtu mësuesit, të cilët, sipas tij, kryejnë me përkushtim, durim dhe dashuri një detyrë jashtëzakonisht të rëndësishme, për të cilën e gjithë shoqëria duhet t’u jetë mirënjohëse.
“Të dashur nxënës, besoni te vetja, besoni tek ëndrrat tuaja dhe tek e ardhmja. Ajo do të jetë më e mirë dhe është në duart tuaja!”, përfundoi Presidenti.
















