Shqiptarët po e përdorin më pak postën në 2026. Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se qytetarët kanë dërguar dhe marrë më pak objekte në krahasim me vitin e kaluar.
2025 ishte padyshim viti i “lulëzimit” të postës ndërkombëtare falë platformës së shitje-blerjeve, TEMU. Edhe shqiptarët “ranë pre” e “fast fashion” apo e thënë ndryshe modës së shpejtë, e cila fillimisht synon prodhimin masiv dhe të shpejtë të veshjeve, duke kopjuar stilet aktuale, dhe më pas shitjen e tyre me çmime shumë më të ulëta se ato që ofron tregu. Një prej debateve më të mëdha vitin e kaluar ishte përmbajtja e kimikateve toksike në veshjet apo objektet e blera nga TEMU, e cila solli më pas shtimin e kontrolleve nga Bashkimi Evropian për të gjitha produktet që hynin në Union dhe në fund gjobitjen me 200 milionë euro të TEMU, për shitjen e produkteve të paligjshme, si lodra të rrezikshme për foshnja dhe karikues me defekt.
Përfituesit më të mëdhenj janë postat private, të cilët ishin dhe vijojnë të jenë shpërndarësit kryesorë të objekteve ndërkombëtare hyrëse.
Por duket se 2026 nuk ka premtuar të njëjtën gjë. Sipas të dhënave nga AKEP, në tremujorin e dytë të këtij viti janë shpërndarë 6.7 milionë objekte postare në total, rreth 15% më pak se në tremujorin e dytë 2025. Shpërndarja e objekteve brenda vendit ka pasur një tkurrje më të vogël, ndërsa dërgimi apo marrja e pakove dhe letrave nga jashtë territorit të Shqipërisë, regjistroi një rënie prej 52% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Për sa i përket llojit të objekteve, postat private shpërndajnë më shumë pako sesa letra, ndërsa Posta Shqiptare rreth 74% objekte të thjeshta dhe 26% objekte të regjistruara ose shërbime shtesë.
Posta Shqiptare, i cili vazhdon të jetë ofruesi i vetëm i shërbimit universal në Shqipëri, pra që ofron një minimum të përcaktuar shërbimesh, të një cilësie të caktuar, të mundshme për të gjithë përdoruesit në territorin e Shqipërisë, pavarësisht nga vendndodhja gjeografike, me çmime të përballueshme, është kompania që ka shpërndarë më shumë objekte. Ajo dominon në shpërndarjen e objekteve postare brenda vendit, por postat private dominojnë në shpërndarjen e objekteve postare ndërkombëtare që hyjnë në Shqipëri./scan.tv















