Qeveria po e paraqet “Pasqyrën e Çmimeve” si një instrument që do t’i ndihmojë qytetarët të krahasojnë çmimet e produkteve në supermarkete.
Por përvoja europiane tregon se të krahasosh çmimett nuk do të thotë domosdoshmërisht se paguan më pak.
Një studim i Qendrës së Përbashkët të Kërkimit të Komisionit Europian analizoi portalet e krahasimit të çmimeve që nisën të funksiononin në Austri në vitin 2023.
Studiuesit krahasuan çmimet e produkteve identike në shtete ku platforma të tilla nuk ekzistonin.
Përfundimi ishte se çmimet e produkteve të publikuara në këto portale nuk u ulën.
Një nga shpjegimet e mundshme ishte përdorimi i kufizuar i platformave nga konsumatorët. Pra, transparenca ishte e dobishme, por nuk mjaftoi për ta detyruar tregun të ulte çmimet.
Në Shqipëri, Kryeministri Edi Rama u kërkoi rrjeteve të supermarketeve që në platformë të paraqesin barkodin, markën, gramaturën, adresën e dyqanit, çmimin final me TVSH, promocionet dhe gjendjen e produktit në stok.
Megjithatë, platforma duket ende larg funksionimit.
Ministrja Ibrahimaj pranoi se vetëm një prej rrjeteve të supermarketeve dorëzoi të dhënat e kërkuara, ndërsa të tjerët nuk u përgjigjën. Pa çmimet, barkodet dhe listën e produkteve nga operatorët kryesorë, “Pasqyra e Çmimeve” mbetet praktikisht vetëm një ide.
Edhe nga qëndrimi i ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u la të kuptohej se qeveria nuk ka ende një përgjigje të plotë se përse çmimet në Shqipëri vazhdojnë të rriten, edhe kur euro është e dobët përballë lekut dhe inflacioni i importuar është zbutur.
Në këto kushte, nisma duket më shumë në fazën e deklaratave sesa të një mekanizmi konkret që mund të funksionojë dhe të ndikojë realisht në treg.
Rama foli hapur për “marzhe të papranueshme” dhe deklaroi se supermarketet po fitojnë më shumë nga sa mund të konsiderohet e arsyeshme.
Por analiza mbi të cilën mbështetet ky përfundim nuk është bërë publike.
Kjo është pikërisht pjesa që mungon: Sa kushton produkti kur hyn në Shqipëri ose kur del nga prodhuesi dhe sa shitet në fund? Sa fiton importuesi, sa distributori dhe sa supermarketi?
Të dhënat e INSTAT tregojnë se inflacioni arriti në 3,2% në gusht, nga 2,3% një vit më parë. Transporti u shtrenjtua me 12%, kostot e banesës, ujit dhe energjisë me 3,7%, ndërsa ushqimet me 2,8%.
Ushqimet dhe shpenzimet e banesës përbëjnë së bashku 54,3% të shportës së konsumit.
Një familje shqiptare shpenzonte mesatarisht 93 mijë lekë në muaj në vitin 2024, prej të cilave afro 37 mijë lekë vetëm për ushqime.
Në Tiranë, shpenzimi mesatar arrinte në rreth 109 mijë lekë.
“Pasqyra e Çmimeve”, nëse arrin të funksionojë, në rastin më te mirë mund t’i tregojë qytetarit se cili supermarket shet më lirë.
Por, ajo nuk shpjegon pse çmimi është i lartë dhe kush e merr diferencën nga prodhuesi apo importuesi deri te rafti.
Në Holandë, autoriteti i konkurrencës nuk u mjaftua me krahasimin e etiketave, por nisi hetim mbi marzhet e furnitorëve dhe supermarketeve, formimin e çmimeve dhe diferencat me vendet fqinje.
Edhe në Shqipëri, krahas platformës, duhet një hetim i plotë i zinxhirit të çmimeve. Përndryshe, qytetarët do të mësojnë vetëm se ku paguajnë më pak, por jo pse vazhdojnë të paguajnë kaq shumë. /skyweb.al

















Comments 1