Inflacioni në Eurozonë u rrit më shumë se parashikimet gjatë shtatorit, i nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i karburanteve dhe gazit natyror. Zhvillimi shton presionin mbi Bankën Qendrore Europiane për të vijuar rritjen e normave të interesit.
Sipas të dhënave të Eurostat, inflacioni në 21 vendet që përdorin monedhën euro arriti në 3.8%, nga 3.2% në gusht. Shifra tejkaloi edhe pritshmëritë prej 3.6% të ekonomistëve të anketuar nga Reuters.
Krahas energjisë, në rritjen e çmimeve ndikuan, në një masë më të vogël, edhe kostot e ushqimeve.
Inflacioni bazë, i cili përjashton çmimet e paqëndrueshme të ushqimeve dhe energjisë, u rrit në 2.5%, nga 2.4% një muaj më parë. Sipas Eurostat, rritja u ndikua kryesisht nga shtrenjtimi i shërbimeve.
Të dhënat i japin BQE-së sinjale të përziera. Inflacioni i përgjithshëm po largohet përsëri nga objektivi prej 2%, duke forcuar argumentet për rritje të tjera të interesave pas dy ndërhyrjeve të kryera gjatë verës.
Nga ana tjetër, rritja e kufizuar e inflacionit bazë tregon se çmimet e larta të energjisë nuk janë përhapur ende gjerësisht në pjesën tjetër të ekonomisë.
Kjo mund ta shtyjë BQE-në të ruajë një reagim “të matur”, me rritje të normave të shpërndara në kohë dhe të lidhura me të dhënat dhe parashikimet e reja ekonomike.
Aktualisht, norma e depozitave të BQE-së është 2.5%. Investitorët parashikojnë deri në tri rritje të tjera gjatë vitit të ardhshëm, megjithëse mundësia e një ndërhyrjeje gjatë këtij muaji vlerësohet shumë e ulët. Tregjet nuk e kanë reflektuar plotësisht rritjen e ardhshme përpara janarit.
Përkrahësit e një politike më të ashpër monetare argumentojnë se energjia ka mbetur e shtrenjtë për një kohë të gjatë dhe se kostot do të kalojnë gradualisht te çmimet e energjisë elektrike, ngrohjes, mallrave dhe shërbimeve.
Në krahun tjetër, një pjesë e politikëbërësve vlerësojnë se dobësia e tregut të punës kufizon mundësinë për rritje të forta pagash, ndërsa shtrenjtimi i huamarrjes pritet të frenojë konsumin dhe rritjen e çmimeve.
Vendimi i ardhshëm i BQE-së mund të ndikohet edhe nga stabiliteti financiar. Yield-et e obligacioneve amerikane kanë arritur nivelin më të lartë në 24 vjet, duke rritur kostot e huamarrjes edhe në Europë.
Njëkohësisht, diferenca mes yield-eve të borxhit francez dhe atij gjerman është zgjeruar në nivelet më të larta të disa dekadave, duke shtuar shqetësimet për qëndrueshmërinë e borxhit.
Në këto kushte, ekonomistët vlerësojnë se BQE-ja mund të qëndrojë përkohësisht në pritje, për të mos shtuar më tej tensionet në tregjet financiare, për sa kohë që prirjet e inflacionit nuk kërkojnë një reagim të menjëhershëm dhe agresiv.
Burimi: Reuters















