Europa po hyn në sezonin e dimrit me gaz të shtrenjtë dhe rezerva më të ulëta se zakonisht. Çmimi i kontratës referencë holandeze TTF arriti të martën në 87.20 euro për megavat-orë, niveli më i lartë prej gati katër vitesh.
Të mërkurën, çmimi zbriti nën 86 euro, por mbeti pranë niveleve më të larta që nga viti 2022. Sipas Reuters, gazi në tregun europian është shtrenjtuar me mbi 150% nga fillimi i vitit.
Shkaku kryesor është ndërprerja e furnizimeve me gaz natyror të lëngshëm, të njohur si LNG, nga Gjiri Persik. Lufta në Iran dhe pengesat në lundrimin përmes Ngushticës së Hormuzit kanë bllokuar një pjesë të eksporteve nga Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Përmes kësaj ngushtice kalonte rreth një e pesta e eksporteve botërore të LNG-së. Kufizimi i furnizimeve ka shtuar konkurrencën mes Europës dhe Azisë për ngarkesat e disponueshme, ndërsa eksportet shtesë nga SHBA-ja, Kanadaja dhe Nigeria nuk kanë kompensuar plotësisht humbjet.
Situatën e rëndojnë rezervat e ulëta. Depot europiane të gazit janë të mbushura në 73.94% të kapacitetit, nën mesataret historike. Parashikimet për temperatura më të ulëta në Europën Qendrore mund të shtojnë konsumin për ngrohje dhe të përshpejtojnë përdorimin e rezervave.
Presion shtesë krijojnë ndërprerjet e paplanifikuara në infrastrukturën norvegjeze, të cilat kanë ulur kapacitetin e furnizimit të Europës përmes gazsjellësve.
Analistët e cituar nga Reuters parashikojnë që depot të arrijnë vetëm 75–78% mbushje deri më 1 nëntor. Familjet dhe bizneset mund të përballen me çmime të larta për të paktën edhe një vit, edhe nëse konflikti në Iran zgjidhet dhe dimri rezulton i butë.
Arsyeja është se rimbushja e rezervave për sezonin pasues do të mbetet e kushtueshme. Për konsumatorët, një pjesë e shtrenjtimit mund të ndihet gjatë vitit 2027, kur të rinovohen kontratat e furnizimit me tarifa të reja.















