Pavarësisht se gratë preken shumë më tepër se burrat nga sëmundjet autoimune, gjendje ku sistemi imunitar sulmon gabimisht qelizat dhe indet e shëndetshme të trupit, një studim i ri zbulon se ato përballen me vonesa zvarritëse dhe dukshëm më të gjata për të marrë një diagnozë të saktë.
Gati një e treta e grave të anketuara presin katër vjet ose më shumë që nga shfaqja e simptomave të para për të mësuar diagnozën e tyre. Në kontrast me këtë, pothuajse gjysma e burrave diagnostikohen brenda vetëm një viti. Në përgjithësi, 60.4% e grave presin më shumë se një vit për t’u diagnostikuar saktë.
Dallime të tilla të dukshme sugjerojnë se “anshmëritë historike gjinore mbeten një aspekt sfidues i udhëtimit diagnostik”, tha Shaista Tayabali, bashkautore e studimit. Ndër arsyet kryesore përmenden paragjykimet e trashëguara në mjekësi, kërkimet e kufizuara mbi shëndetin e grave, si dhe të dhënat e anshme sipas gjinisë që përdoren për trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale (machine learning).
Gratë përbëjnë 70% deri në 80% të të gjitha rasteve me sëmundje autoimune në mbarë botën, ku ndër më të përhapurat janë diabeti i tipit 1, sëmundjet e tiroides, lupusi sistemik dhe skleroza e shumëfishtë. Megjithatë, megjithëse vuajnë më shumë nga këto sëmundje, atyre u duhet më shumë kohë për t’u diagnostikuar.
“Edhe pse etiketime të tilla si ‘histeri’ janë të vjetruara dhe për fat të mirë përdoren rrallë sot, si gra ne ende e kemi më të vështirë që të na besohen simptomat dhe rrjedhimisht të trajtohen me saktësi,” sqaroi Tayabali.
Studimi analizoi të dhënat e më shumë se 6,000 pacientëve. Pjesëmarrësit u pyetën për kohëzgjatjen e pritjes, numrin e vizitave mjekësore dhe diagnozat e tjera që kishin marrë përpara asaj autoimune.
Mjekët shpesh i interpretojnë simptomat e para si lodhja, dhimbjet e trupit, çrregullimet e gjumit apo rënia e humorit, si probleme psikosomatike ose psikiatrike, pa konsideruar mundësinë e një sëmundjeje autoimune. Kjo sjell vonesa të gjata, gjendje të patrajtuara dhe humbje të besimit te sistemi shëndetësor.
“Mjekët duhet të jenë më të hapur,” tha David D’Cruz, konsulent reumatolog në spitalin “Guy’s Hospital” në Londër. Ai u bëri thirrje kolegëve që “të marrin parasysh nëse pas simptomave fshihet një sëmundje autoimune e panjohur – dhe mbi të gjitha, të dëgjojnë pacientët”.
Një nga arsyet kryesore të këtyre vonesave është se simptomat e grave kanë më shumë gjasa të cilësohen si psikosomatike (kur mjekët besojnë se simptomat fizike shkaktohen ose përkeqësohen nga faktorë psikologjikë). Kjo u raportua nga 34% e grave, krahasuar me vetëm 22% të burrave.
Studiuesit vunë re se femrat kishin pothuajse 50% më shumë gjasa se meshkujt për të marrë një diagnozë të gabuar psikiatrike dhe gati 75% më shumë gjasa për një diagnozë të gabuar psikosomatike.
“Kjo nuk do të thotë se një diagnozë psikiatrike është gjithmonë e gabuar,” shtoi D’Cruz. “Pacientët mund të vuajnë njëkohësisht nga sëmundje autoimune dhe psikiatrike. Për më tepër, po kuptohet gjithnjë e më shumë se simptomat psikiatrike mund të jenë pjesë përbërëse e vetë sëmundjes autoimune, veçanërisht në sëmundje si lupusi, i cili mund të preke drejtpërdrejt trurin.” /skyweb.al















