Dëgjimi i muzikës mund të ndihmojë në uljen e stresit dhe përmirësimin e disa treguesve të shëndetit kardiovaskular, përfshirë presionin e gjakut dhe ritmin e zemrës. Në këtë përfundim ka arritur një studim i ri i publikuar në revistën shkencore “Heart”, i cili shqyrtoi ndikimin e muzikoterapisë te pacientët që i nënshtrohen procedurave për ekzaminimin e arterieve koronare.
Studimi MUS.E I përfshiu 100 pacientë, të ndarë në tre grupe. Njëri grup dëgjoi muzikë për 30 minuta para procedurës, grupi i dytë si para ashtu edhe gjatë saj, ndërsa grupi i tretë mori vetëm kujdesin standard mjekësor.
Rezultatet treguan se pacientët që dëgjuan muzikë kishin një frekuencë më të ulët të zemrës gjatë procedurës, rreth 71-72 rrahje në minutë, krahasuar me 80 rrahje në minutë te grupi që nuk dëgjoi muzikë.
Edhe presioni sistolik i gjakut rezultoi më i ulët, veçanërisht te pacientët që dëgjuan muzikë gjatë gjithë procesit, duke arritur mesatarisht 125 mmHg, kundrejt 136 mmHg në grupin e kontrollit.
Studiuesit vunë re gjithashtu nivele më të ulëta të troponinës, një proteinë që përdoret si tregues i dëmtimit të mundshëm të muskulit të zemrës, si dhe raportime për më pak dhimbje pas procedurës.
Sa i përket preferencave, muzika pop ishte më e përzgjedhura nga pjesëmarrësit, e ndjekur nga xhazi, tingujt e natyrës dhe muzika klasike.
Sipas ekspertëve, muzika mund të shërbejë si një mënyrë e thjeshtë dhe e përballueshme për të reduktuar stresin emocional gjatë procedurave mjekësore. Ajo mund të ndihmojë në qetësimin e organizmit dhe të përmirësojë përvojën e pacientëve gjatë ekzaminimeve kardiologjike.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se muzikoterapia duhet parë si një mbështetje plotësuese dhe jo si zëvendësim i trajtimit mjekësor për sëmundjet e zemrës. /skyweb.al
















