Mundësia parashikohet në projektligjin për krijimin e kompanisë shtetërore “MedAL” sh.a., e cila do të marrë përsipër blerjen, importimin dhe shpërndarjen e ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore për institucionet publike shëndetësore.
Neni 9 i projektligjit përcakton katër raste në të cilat kompania shtetërore mund të përdorë procedura të posaçme për importimin e medikamenteve.
Rasti i parë lidhet me ilaçet e autorizuara në Shqipëri dhe në Bashkimin Evropian, por për të cilat konstatohet një mungesë e dokumentuar në tregun shqiptar.
MedAL do të mund të kryejë gjithashtu importe paralele të medikamenteve të autorizuara në një vend anëtar të BE-së, të cilat janë identike ose mjaftueshëm të ngjashme me ato të autorizuara në Shqipëri.
Kompania shtetërore do të ketë të drejtë të importojë edhe ilaçe të autorizuara në BE, por që ende nuk janë autorizuar për tregtim në Shqipëri dhe për të cilat nuk ka një kërkesë në shqyrtim.
Dispozita më e rëndësishme lidhet me mundësinë e importimit të produkteve mjekësore që nuk janë të autorizuara në Shqipëri apo në Bashkimin Evropian.
Importimi i tyre do të lejohet kur është i nevojshëm për plotësimin e nevojave të veçanta terapeutike, të justifikuara, ose për përballimin e një emergjence të jashtëzakonshme të shëndetit publik.
Në të gjitha këto raste, MedAL duhet të marrë paraprakisht autorizimin e autoritetit kompetent për barnat dhe të sigurojë medikamentet nga subjekte të autorizuara ligjërisht për furnizimin e tyre.
Kushtet dhe procedurat e dhënies së autorizimeve, si dhe kërkesat për kontrollin, etiketimin, gjurmueshmërinë dhe monitorimin e sigurisë së këtyre medikamenteve, do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. /skyweb.al















