Ministria e Shëndetësisë ka parashikuar në projektligjin e ri “Për produktet mjekësore për përdorim njerëzor” rregulla të posaçme për tregtimin online të medikamenteve, duke përafruar legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.
Shitja në internet do të lejohet vetëm për ilaçet që nuk kërkojnë recetë mjekësore, ndërsa tregtimi në distancë i medikamenteve me recetë do të vazhdojë të jetë i ndaluar.
Farmacitë dhe subjektet e autorizuara që dëshirojnë të ushtrojnë këtë aktivitet duhet të njoftojnë paraprakisht Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, duke deklaruar adresën e aktivitetit, faqen e internetit, datën e fillimit të shitjeve online dhe kategorinë e medikamenteve që do të tregtojnë.
Për të mbrojtur konsumatorët nga shitësit e paligjshëm dhe medikamentet e falsifikuara, faqet e autorizuara do të pajisen me një logo të përbashkët evropiane, e cila do të identifikojë edhe shtetin ku ushtron aktivitetin subjekti tregtar.
Duke klikuar mbi këtë logo, qytetarët do të mund të verifikojnë nëse farmacia online figuron në regjistrin zyrtar të subjekteve të autorizuara.
Autoritetet do të publikojnë listën e operatorëve që kanë të drejtë të tregtojnë ilaçe në internet, së bashku me adresat përkatëse të faqeve të tyre.
Projektligji parashikon gjithashtu penalitete ndaj subjekteve që tregtojnë medikamente online në kundërshtim me kërkesat ligjore, si dhe zhvillimin e fushatave informuese për rreziqet e blerjes së ilaçeve nga burime të paautorizuara.
Sipas dispozitave përfundimtare të projektligjit, rregullat e reja parashikohet të hyjnë në fuqi në datën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. /skyweb.al















