Aksionet e Prokurorisë së Posaçme, e cila ka ngritur akuzë për disa zyrtarë dhe firma private, ka sjellë që disa individë, me lidhje tepër të fuqishme me mazhorancën apo individët në poste të rëndësishme, të vihen para drejtësisë.
Ka pasur aksione në disa poste kyçe, kryesisht në pushtetin qendror, por gangrena më e madhe e të gjithë shqiptarëve ka një emërues të përbashkët; shëndetësinë!
Një ish-ministër i Shëndetësisë është në arrest, sëbashku me disa zëvendësa apo edhe drejtorë të mëdhenj, të akuzuar për një mori veprash penale. Koncesionet e famshme në shëndetësi veçse kanë zhvatur para, pasi sistemi vijon të lëngojë fort, megjithë ndryshimet e shpeshta të ministrave\eve.
Beqaj ishte i pari ministër i qeverisë Rama, ku qëndroi deri në 2017-ën.
Më pas u pasua nga Manastirliu, nga 2017 deri në 2023, vijoi me Albana Koçiun e cila qëndroi deri në shtator 2025 dhe aktualisht është Evis Sala.
Dy të parët janë anatemuar dhe ndaj tyre ka pasur arrestime, hetime e dosje penale. Nëse ndaj Beqajt kishte masë sigurie, Manastirliu ia ka hedhur paq.
Gjatë 12 viteve të fundit një gjë s’ka ndryshuar, tenderat pa garë dhe të paracaktuar për firma të preferuara.

Gjatë kësaj kohe qeveria ka ndryshuar disa herë mënyrën se si të bënte tenderat.
Fillimisht procedurat me vlera të mëdha kryheshin nga Spitalet Universitarë, Rajonalë apo Lokalë.
Më pas, dolën urdhra dhe këto tendera u grupuan dhe bëheshin nga një dorë e vetme, në Ministrinë e Shëndetësisë.
Tashmë, kur janë “ngopur” të gjithë, disa tendera bëhen nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, një organ në varësinë e Kryeministrisë, por me një mori “shefash” mbi krye.
Me orientim ose jo, drejtoresha e OBP-së, Arlinda Pogaj, ka marrë udhëzime për mënyrën apo vlerën e tenderit.
Ditët e fundit, i njëjti Operator ka bërë disa tendera, njëri prej të cilëve me vlerë tepër të lartë. Në datën 2 dhjetor 2025, Pogaj ka nxjerrë njoftimin e fituesit të tenderit me objekt “blerje materiale mjekësore dhe barna për dializë peritoneale e ndarë në 2 (dy) lote, për 24 muaj”.
Bëhet fjalë për lotin 2, “dializë peritoneale” me një fond prej 120 milionë lekë, ose mbi 1.2 milionë euro.
Megjithëse dializa është dhënë me koncesion dhe firma private vijon të operojë, pavarësisht hetimeve apo raporteve të KLSH-së, shteti vijon të paguajë për këtë shërbim.
Ky tender ka qenë formal dhe i paracaktuar, pasi në procedurë mori pjesë vetëm kompania “INCOMED”.
Kjo firmë ofroi disa qindarka më pak sesa fondi limit, ose sa 99 % e vlerës së akorduar. Por, nëse do e fitonte kjo firmë, përse u bë një tender i tillë?
A mos ka qenë i paracaktuar që në momentin e shpalljes?
Nëse mjeshtrat e shëndetësisë e dinin fituesin, po Arlinda a kishte dijeni?
A bëri ndonjë verifikim paraprak dhe sa para’ kurseu në këtë procedurë?
Dyshimet janë të mëdha, për shkak se e njëjta firmë është bërë kohet e fundit e preferuara e institucioneve shtetërore, të cilat arrijnë që t’i japin tendera me vlera të mëdha, pavarësisht se ajo “konkurron” me veten.
Nëse ndonjë oligark apo zyrtar është nën hetim apo arrest nga SPAK-u, të tjerë ngrihen, madje fitojnë procedurat lehtësisht.
Ndryshojnë vetëm emrat, teksa të njëjta dokumente bëhen për këdo.

VoxNews vijoi të hulumtojë dokumente zyrtare, ku rezulton se në të njëjtën ditë, në datën 2 dhjetor 2025, firma INCOMED fitoi edhe 231 mijë euro. I njëjti institucion, Operatori i Blerjeve të Përqendruara e shpalli fitues edhe për lotin e parë, me objekt “materiale mjekësore për dializë peritoneale dhe hemodializë”.
Fondi limit ka qenë 22,381,450 lekë, ndërkohë që INCOMED ofroi 22,279,700, ose 101.750 lekë. Pra, ka lënë “rrugës” vetëm disa qindarka, në vlerën e rreth 1 mijë eurove.
Në të dyja rastet, s’ka pasur garë dhe INCOMED fitoi me vlerë të akorduar mbi 99 % të fondit, çka shkon dyshimet se tashmë po lind një tjetër oligark në shëndetësi.
Nëse deri dje ishin disa biznesmenë që bënin ligjin, tashmë stafetën po e marrin vetë mjekët, që kanë krijuar lidhjet dhe fitojnë tenderat pa asnjë problem, pavarësisht dyshimeve se kanë “dikë mbrapa”.

Sipas dokumenteve që ka hulumtuar VoxNews, shoqëria zotërohet nga ortaku i vetëm z.Gentian Kreka me 100 % të kuotave. “Kapitali i nënshkruar dhe i paguar përbëhet nga 100 aksione me vlere nominale 100,000 Lekë.
Numri i punonjësve të shoqërisë më 31 dhjetor 2024 është 32 të punësuar dhe në 31 dhjetor 2023 ishte 31 të punësuar” thuhet në një dokument të vetë firmës, që ka dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Sipas saj, “gjatë vitit 2024 kemi një rritje të numrit të klienteve në krahasim me vitin 2023”. Por, nga vjen rritja?! Vetë firma shkruan se kjo vjen si rezultat i rritjes së cilësisë së shërbimeve në prokurimet publike.
Pra, rritja ka ardhur nga tenderat.
Më tej shkruan se ka studiuar dhe monitoruar tregun dhe planet strategjike, por sërish paratë gjithmonë vijnë të kanalizuara, nga vetë shteti që përzgjedh edhe firmat që do t’i marrin.

Kompania, siç shkruan vetë aksioneri Gentian Kreka, vijon të ketë rritje, sidomos nga tenderat.
Kjo kompani ka dorëzuar në vitin 2025 bilancin e vitit 2024, ku shkruan se në këtë vit kalendarik ka fituar shumën prej 39,437,325 lekë.
Gjysma e fitimit është shpërndarë divident, pra te aksioneri kryesor Gentian Kreka, dhe gjysma kaloi si rezerve për investim./voxnews.al
















