Ndërsa Ministria polake e Mbrojtjes Kombëtare po përparon me planet për të blerë deri në 32 avionë luftarakë të rinj, kompania amerikane Boeing ka paraqitur ofertën e saj me modelin F-15EX, duke theksuar aftësitë e avionit për ngarkesë, rreze veprimi dhe shpejtësi. Për ta bërë ofertën më tërheqëse, kompania po e shoqëron me një paketë bashkëpunimi industrial për sektorin polak të mbrojtjes dhe me ofertën për dronin MQ-28 Ghost Bat, një mjet fluturues i kategorisë “loyal wingman”.
Si pjesë e fushatës, përfaqësues të Boeing kanë zhvilluar takime me kompani polake për të identifikuar partnerë në prodhim, shërbime, kërkim-shkencë dhe mirëmbajtje teknike. Më 29 tetor, Boeing organizoi në Varshavë aktivitetin “Boeing Industry Day”, ku u diskutuan fushat e mundshme të bashkëpunimit për programin F-15EX dhe për projekte të tjera si aerocisterna KC-46.
Sipas Marissa Myers, menaxhere e lartë për zhvillimin e biznesit në Boeing, Polonia zotëron tashmë kapacitete MRO (mirëmbajtje, riparim dhe përmirësim) që mund të përfshihen në projekt. “Kemi nënshkruar disa memorandume mirëkuptimi me kompani të ndryshme dhe jemi partnerë me universitete lokale. Synojmë të zgjerojmë bashkëpunimin edhe më tej,” deklaroi ajo për Defense News.
Boeing ka nisur gjithashtu bisedimet fillestare për dronin MQ-28 Ghost Bat, të cilin kompania e përshkruan si “mjetin luftarak bashkëpunues më të avancuar në treg”.
Përveç ofertës së Boeing, Polonia po shqyrton edhe mundësinë për të blerë 32 avionë të tjerë F-35 të gjeneratës së pestë, përveç atyre 32 që janë tashmë në proces porosie, ose për të zgjedhur Eurofighter Typhoon, avionin europian të prodhuar nga Airbus, BAE Systems dhe Leonardo.
Boeing ka intensifikuar prezencën e saj në tregun polak, pas marrëveshjes së vitit 2024 për 96 helikopterë sulmues AH-64E Apache, me pajisjet dhe armatimin përkatës, me vlerë rreth 10 miliardë dollarë.
Në shkurt 2025, kjo u pasua nga një kontratë prej 300 milionë dollarësh për qiranë e tetë helikopterëve AH-64D nga Shtetet e Bashkuara, duke thelluar bashkëpunimin ushtarak mes Varshavës dhe Boeing./defensenews















