Kriza në Air Albania është thelluar ndjeshëm pas njoftimit zyrtar të Turkish Airlines për shitjen e aksioneve të saj në kompaninë shqiptare.
Vendimi i partnerit kryesor strategjik ka goditur një kompani që prej muajsh gjendet nën presion të madh financiar, me detyrime të papaguara ndaj palëve të treta, procese gjyqësore dhe staf të mbetur pa paga.
Skyweb.al mëson se fluturimi i mesditës nga Tirana drejt Milano-Malpensa është anuluar, ndërsa pasagjerët janë njoftuar vetëm një ditë më parë.

Aktualisht Air Albania po operon thuajse ekskluzivisht linjën Tiranë–Stamboll, pasi pjesa tjetër e flotës ka dalë nga përdorimi për shkak të mungesës së motorëve dhe problemeve kontraktuale me kompanitë e qirasë.
Intervista e publikuar më herët nga Skyweb.al me inxhinierin e mirëmbajtjes Ali Osman Yildirim ka zbuluar një panoramë edhe më të rëndë të situatës.
Yildirim, specialist me përvojë të gjatë në avionët Airbus, shpjegon se një pjesë e motorëve të flotës është hequr për shkak të problemeve teknike ose mbarimit të afateve të qirasë, ndërsa vonesat në sigurimin e motorëve zëvendësues kanë çuar në nxjerrjen nga shërbimi të avionëve A319 dhe A320. Fotot e siguruara nga Skyweb.al tregojnë avionët ZA-MMK dhe ZA-ASM të parkuar në “Sabiha Gökçen” pa motorë, në pritje të mirëmbajtjes.
Sipas Yildirimit, kompania po funksionon vetëm me një avion të marrë në formën “wet lease”, gjë që e bën pothuaj të pamundur të operohet në mënyrë fitimprurëse.
Ai konfirmon edhe se shumë punonjës nuk janë paguar prej muajsh, ndërsa disa kanë dhënë dorëheqjen ose i janë drejtuar gjykatës. Të tjerë, sipas tij, “kanë frikë të flasin, sepse mendojnë se deklaratat mund të ndikojnë në proceset e tyre ligjore.”
Përpjekjet e Skyweb.al për të marrë një koment zyrtar nga Air Albania kanë mbetur pa përgjigje, ndërkohë që qeveria dhe autoritetet ajrore nuk kanë dhënë asnjë shpjegim publik për gjendjen e kompanisë kombëtare.
Situata aktuale lë të hapur pyetjen nëse Air Albania është pranë një kolapsi të plotë operativ dhe financiar pas largimit të partnerit kryesor Turkish Airlines. /skyweb.al















