Më në fund do të hapet gjuetia. Teknikisht do të marrë edhe disa muaj, por sot projektligji do të kalojë Kuvendin. Më pas i çelet rruga legjislacionit sekondar; vendimet e qeverisë, planet menaxhuese, rregulloret, kufizimet, caktimi i zonave, deri në vendimin e Ministrit të Mjedisit për çeljen e sezonit të gjuetisë.
Kështu, pas një ndalese 12-vjeçare me ligj, pas përplasjeve dhe debateve herë teknokratike e herë publike, “pro” dhe “kundra” mes palëve, qeveria, siç premtonte prej kohësh, është tërhequr.
Publiku i di shkaqet e ndalimit (gjuetia e tepërt, abuzimet etj.), por jo ato të hapjes. Nuk ka ndonjë të dhënë, matje apo studim të kryer mbi popullsinë e specieve, karakteristikat dhe dinamikat e saj.
Zyrtarët e ministrisë thonë se fauna është rimëkëmbur, por kjo mbetet, sidoqoftë një pretendim i kompromentuar prej politikës. Arsyetimi logjik na bën të pohojmë se rritja mund të jetë e pashmangshme, por sa, si dhe ku, askush nuk mund të flasë me siguri.
Pas një dekade qetësie relative, pa dyshim, diçka ka ndryshuar, por gjuajtja e kafshëve dhe e shpendëve vijonte në ilegalitet.
Disa habitate u shkatërruan, apo u degraduan prej urbanizimit, zhvillimit dhe konsumit të përgjithshëm. Infrastruktura civile u zgjerua. Programet reale të rehabilimit dhe të konservimit, ndonëse u propaganduan, në thelb munguan.
Për të pasur një ide më të qartë dhe përfundime shkencore mbi efektet e ndalimit 12-vjeçar të gjuetisë, duhen llogaritur edhe vlerat e këtyre ndryshoreve.
Në projektligj organizimi i shërbimit të gjuetisë i kalon “menaxhuesit të zonës së gjuetisë”(Neni 21).
Këtej e tutje, menaxhuesi do të marrë në përdorim, kundrejt qirasë, disa qindra hektarë, përmes konkurimit publik.
Do të jetë ky (person fizik ose juridik) që do të hapë dhe do të mbyllë portën e gjuetisë për gjuetarët. Shoqatat e gjuetarëve do të vijojnë organizimin e anëtarësisë dhe rolin këshillues, krahas grupeve të tjera të interesit, ku futen dhe disa shoqata mjedisore.
Ministria ia kalon përgjegjësinë operative bashkive dhe mban politikat mbi ruajtjen e ekuilibrit ekologjik të faunës së egër.
Organizimi i ri i gjuetisë përbën një revolucion në menaxhimin “e së përbashkëtës”. Ai synon t’u japë fund të ashtuquajturëve “banditë shëtitës”, një term në ekonominë politike që portretizon politikanët pa të ardhme që shfrytëzojnë një burim natyror deri në shterim e më pas kalojnë te burimi i radhës.
Të tillë mund të tiparizohen gjuetarët vendas e të huaj, para moratoriumit 12-vjeçar të gjuetisë, sjellja e të cilëve shkatërroi popullatat e specieve në Shqipëri. Autoriteti shtetëror ka kuotat e tij në këtë ndërmarrje kriminale ndaj mjedisit.
Por këtë radhë hapja e gjuetisë nuk shoqërohet me hapjen e zonave të gjuetisë. Këto të fundit do të rezervohen vetëm për biznesmenë, të cilët kanë një plan biznesi dhe menaxhimi të qëndrueshëm, kundrejt marrjes së shërbimit të gjuetisë me qira; fjala është për qiranë e tokës që do t’i paguajnë bashkisë, së cilës i përket zona e gjuetisë.
Çfarë garancish japin menaxhuesit për zonat e gjuetisë?
Në fakt, garancitë nuk burojnë nga individi, por nga individualizimi i përfitimeve çka e shtyn menaxhuesin drejt një rendimenti të qëndrueshëm në këto zona.
“Asaj që është e përbashkët për shumicën, i kushtohet më pak vëmendje”, pohonte Aristoteli 2,400 vjet më parë në Athinë.
Të tilla ishin habitatet natyrore dhe rezervatet e gjuetisë në Shqipëri, para moratoriumit te gjuetisë, 12 vjet të shkuara.
Duke qenë të gjithkujt ato ishin të askujt. Gjuetarët gjuanin në ekstrem dhe kur popullatat mbaronin, grupet e brankonierëve zhvendoseshin në habitatin ngjitur, më pas te një tjetër e kështu, derisa i mbaruan (shkatërruan) që të gjitha.
Tingëllon e hidhur (dhe njëkohësisht ilustrimi më i mirë) thënia e gjahtarëve se “po nuk i vramë ne, do t’i vrasin të tjerët!”.
Fjala ishte më shumë për burimet e gjuetisë me karakter shtegëtues që lëviznin në territore, aq të mëdha, sa nuk arrinin që të menaxhoheshin nga shoqëria.
Kjo është natyra e burimeve të përbashkëta, të tilla që janë falas për individin dhe të pamjaftueshme për shoqërinë.
Biologu amerikan Garrett Hardin e trajtoi këtë fatalitet në esenë e famshme “Tragjedia e së përbashkëtës” (1968). Përpjekjen e tij për t’i dhënë problemit një zgjidhje, ai e ilustroi me shembullin e një kullote, e cila përdorej njëkohësisht nga shumë barinj.
Hardin na tregon se qëllimi i çdo bariu është shtimi i numrit të tufës. Si qenie racionale, bariu gjendet përballë një dileme: cila është dobia ime nëse shtoj edhe një kafshë tjetër në tufë?
Në këtë rast zgjedhja për bariun ka dy elementë: një pozitiv dhe një negativ. Elementi pozitiv ka të bëjë me marrjen e të gjitha përfitimeve nga shtimi i tufës me një kafshë të re, ndërsa elementi negativ ka të bëjë me mbikullotjen, si presion i shtuar ndaj burimit.
Por në këtë rast, efektet e mbikullotjes do të shpërndahen mes barinjve. Bariu racional do të arrijë në përfundimin se shtimi i tufës me një kafshë të re është e vetmja rrugë e arsyeshme që ai duhet të ndjekë.
Ky është përfundimi i arritur nga çdo bari që shfrytëzon një pronë të përbashkët. Pikërisht këtu ndodh tragjedia.
Njeriu bëhet pjesë e një sistemi të mbyllur që e detyron të shtojë përfitimet në kurriz të një burimi të kufizuar. Shkatërrimi është destinacioni drejt të cilit nxiton çdo individ në ndjekje të interesit të tij më të mirë, në një shoqëri që beson në lirinë e pronës së përbashkët.
“Liria për të mirën e përbashkët”, përfundon Hardin, “na shkatërron të gjithëve”.
I njëjti arsyetim vlen kur burimi është fauna e egër, parqe kombëtare, popullata me peshq, apo edhe vetë cilësia e atmosferës.
Hardin sugjeroi se kërkesa kolektive ndaj burimit mund të kontrollohej, nëse të drejtat e pronësisë i kalonin përdoruesve privatë, pasi në këtë mënyrë ata do të kishin interes mbarështimin e burimit, jo shkatërrimin e tij.
Tezat e shtjelluara në “Tragjedia e së përbashkëtës”, u bënë të rëndësishme për botën moderne konsumeriste, ku mbipopullimi, shterimi i burimeve dhe ndotja globale përfaqësonin rreziqet e shekullit të ardhshëm.
Ato nxitën ekonomisten Elinor Ostrom (e para nobeliste grua në fushën e ekonomisë), të kryente studime me bazë të gjerë për gjetjen e një modeli të suksesshëm për administrimin e burimeve të përbashkëta natyrore.
Në krye të një ekipi shkencëtarësh (biologë, ekologë, matematikanë, sociologë, atropologë etj.) ajo mori përsipër t’i përgjigjej një pyetjeje: Çfarë rregullash duhen ndjekur ndaj sistemeve burimore, në mënyrë që administrimi i tyre të jetë i qëndrueshëm?
Ostrom ndërtoi një model kompleks që shkoi përtej një marrëdhënieje mes individëve të një grupi të vetëm, duke marrë në konsideratë një shumësi të spikatur variablash: diversitetin ekologjik (por që është edhe social), sistemin ekonomik të vendit, atë politik, madhësinë e territorit fizik, ngjashmëritë dhe fqinjësinë kufitare, historinë e shfrytëzimit të tokës (teknikat tradicionale), tipologjinë e organizatave joqeveritare që vepronin në territor, llojin e njësisë së burimit, tipologjinë e burimit dhe çdo gjë tjetër të cilën metodologjistët e vlerësuan të rëndësishme për ndërtimin e funksioneve të administrimit të së përbashkëtës.
Përfundimet ishin të tilla që nuk bëhej fjalë për një model të vetëm administrimi të suksesshëm të së përbashkëtës.
Burime të ndryshme performonin ndryshe. Ato ishin të suksesshme, nëpërmjet administrimit privat, nëpërmjet administrimit shtetëror, por edhe nëpërmjet atij komunitar. Asgjë nuk ishte absolute!
Për këtë studim, në 2009 Ostrom-it iu dha çmimi “Nobel”. Por le të kthehemi pas, në të ardhmen: në 2025 – tani kur jemi në prag të miratimit të projektligjit të gjuetisë!
Menaxhuesi është domosdoshmëri
Ka një lidhje thelbësore në frymë të projektligjit me çka u shpjegua më sipër: mbyllja e zonave të gjuetisë dhe kalimi nën administrim nga menaxhuesit, kundrejt qirasë.
Interesi publik garantohet sepse tashmë mirëmenaxhimi është në interes të menaxhuesit.
Nga ana tjetër, marrja nga bashkia e një qiraje për tokën, garanton se pasojat e përdorimit nuk do të prodhojnë kosto të shtuara për komunitetin.
Por hartuesit e projektligjit pranë Ministrisë së Mjedisit nuk duken mjaftueshëm të vetëdijshëm mbi avantazhet e draftit që kanë propozuar.
Zona jepet 5 vjet në përdorim, më të drejtë rinovimi (Neni 27, pika 2).
Madje këtu kemi një tërheqje nga një variant i mëhershëm i draftit, ku kontrata lidhej për 10 vjet.
Një tjetër pengesë vihet re në nenin 12 (Pika 1/b), ku për nevoja të zhvillimit rajonal, zonës mund t’i hiqet statusi, rrjedhimisht bie edhe kontrata. Kjo pasiguri mund të sjellë: falimentim ose demotivim të menaxhuesit, me pasojë braktisjen e zonës.
Sa e vështirë është për hartuesit e projektligjit për të kuptuar se biznesmeni synon shndërrimin e zonës në një ekosistem bionomik për të arritur maksimumin e rendimentit të qëndrueshëm?
Pikërisht në këtë maksimum ai do të sigurojë edhe të ardhurat më të mëdha, duke ruajtur qëndrueshmërinë e burimit.
Siguria e këtij modeli u garantua matematikisht nga ekonomisti kanadez Scott Gordon, në vitin 1954. Gordon përdori peshkimin për të ndërtuar, për herë të parë, një model formal mikroekonomik, duke integruar variabla biologjike dhe ekonomike në një kornizë të vetme.
Modeli mund të shërbejë për mirëmenaxhimin e çdo burimi tjetër të gjallë të rinovueshëm nën shfrytëzim.
Me pak fjalë, ajo që duhet kuptuar është se menaxhuesi synon përdorimin e qëndrueshëm të burimit të rinovueshëm për një kohë sa më të gjatë dhe për të arritur këtë objektiv, ai ka nevojë për mbështetje, jo për skepticizëm.
Skepticizmi duket haptas në kryerjen e procesit të hartimit të dokumenteve të planifikimit. Plani i Menaxhimit hartohet nga bashkia dhe miratohet nga ministria.
Këtu menaxhuesi nuk mund të ndryshojë asgjë. Lidhur me tarifat e gjuetisë, çmimet për individët e vrarë do të caktohen nga qeveria (Neni 31, pika 1/c), gjë e cila mund të mund të kushtëzojë të ardhurat e menaxhuesit me pasojë mosarritjen e maksimumit të rendimentit të qëndrueshëm, për të cilën u fol më lart.
Të ardhurat e qëndrueshme janë një garanci jetike për mbarëvajtjen e zonës, pasi vetëm një menaxhues i fortë mund të ngrejë një zonë të suksesshme gjuetie. Përndryshe, menaxheri mund të detyrohet që të kërkojë burime alternative të ardhurash, por të ardhurat nga jashtë mund të ndikojnë qëndrueshmërinë e burimit, sepse menaxheri nuk do të jetë më i interesuar për shtimin e gjahut.
Vështirësi të tjera, objektivisht të paevitueshme, do të rëndojnë mbi supet e menaxhuesve të gjuetisë, të tilla si kundërshtimet e pronarëve privatë brenda zonave të gjuetisë, me të cilët duhet rënë dakort, kundrejt përfitimeve të ndërsjellta.
Autoritetet vendore mund të luajnë një rol në sheshimin e konflikteve. Mundësia e marrëveshjeve është e mundur.
Menaxhuesit mund të kontribuojnë në ruajtjen e të mbjellave të fermerëve privatë nga sulmet e grabitqarëve, përmes gjuetisë selektive apo gjuetisë së kontrolluar, por edhe në sigurimin e zonës së gjuetisë nga keqbërës të tjerë të jashtëm, kundrejt lejimit të aktivitetit të gjuetisë gjatë sezonit, nga ana e pronarëve.
Ironikisht, autorët e projektligjit duken jo fort bashkëpunues me menaxhuesin. Ekziston frika për krijimin e një menaxhuesi të fuqishëm, të pavarur ekonomikisht.
Kjo mund të lidhet me paaftësinë e autorëve, ose me mosmarrjen e përgjegjësive operacionale gjatë zhvillimit të gjuetisë; ose thjesht frika nga e huaja për ta, nga e panjohura: terreni fizik.
Në thelb, mbetet i njëjti model i “njeriut racional” që Hardin prezantoi në esenë e tij pesimiste “Tragjedia e së përbashkëtës”: e kanë më lehtë që të shmangin vendimmarrjen e vështirë dhe të garantojnë mirëqënien personale, paçka se kjo mund të dëmtojë mirëmenaxhimin e së përbashkëtës.
Në fund, në nenin 52 (pika 4) autorët e projektligjit rrëzojnë gjithçka, duke ofruar si alternativë bashkinë në rolin e menaxhuesit, nëse ky i fundit nuk është përzgjedhur ende.
Por sa mund të vazhdojë mungesa e një menaxhuesi të mirëfilltë dhe alternimi i funksioneve të tij nga pushteti vendor?
Ministria nuk jep afat, por ndërkohë as nuk shqetësohet kur bashkitë (me ndonjë përjashtim) nuk marrin pjesë fare në konsultimet për projektligjin e gjuetisë.
Prezenca do të zgjeronte diskutimin drejt modeleve të tjera adminstrimi, të njohura në traditën komunitare. Asnjë input në kë drejtim; asnjë interes!
Në këtë mënyrë, ne rrezikojmë që të kthehemi në kohën e vjetër të menaxhimit, në kohën kur zonat e gjuetisë ishin të hapura për të gjithë dhe natyrisht nuk i përkisnin askujt.
Një qeverisje e hapur ndaj së përbashkëtës dëmton, në radhë të parë, vetë shoqërinë. Nëse nuk e pranojmë këtë, nuk kemi zgjidhur asgjë. /Artan Rama-Citizens.al















