Me hyrjen e vitit 2026, skema e pensioneve në vend hyn në një tjetër fazë të reformës së nisur në vitin 2015, duke sjellë ndryshime si në moshën e daljes në pension për gratë, ashtu edhe në vitet e sigurimit të kërkuara për të dyja gjinitë.
Reforma e miratuar 11 vite më parë ka parashikuar rritje të ngadaltë dhe të programuar të kritereve për pension, me qëllim lidhjen më të fortë mes kontributeve të derdhura gjatë jetës aktive dhe masës përfundimtare të pensionit.
Për vitin 2026, gratë duhet të kenë mbushur moshën 62 vjeç për të përfituar pension pleqërie. Sipas ligjit në fuqi, mosha e daljes në pension për gratë rritet me dy muaj çdo vit dhe do të arrijë në 63 vjeç në vitin 2032. Më pas, procesi i rritjes së moshës do të përfshijë edhe burrat, deri në unifikimin e moshës së pensionit në 67 vjeç për të dyja gjinitë në vitin 2056.
Aktualisht, për vitin 2026, mosha e pensionit mbetet:
Burra: 65 vjeç
Gra: 62 vjeç
Ndryshimi më i ndjeshëm për vitin e ardhshëm lidhet me vitet e sigurimit. Edhe pse mosha e pensionit për burrat nuk pëson rritje të menjëhershme, ata preken drejtpërdrejt nga shtimi i vjetërsisë së kërkuar në punë. Nëse deri në fund të vitit 2014 mjaftonin 35 vite sigurimi, nga 1 janari 2026 kërkohen 39 vite për të përfituar pension të plotë.
E njëjta logjikë zbatohet edhe për gratë, për të cilat rritja e moshës shoqërohet paralelisht me shtimin e viteve të kontributeve.
Sipas të dhënave zyrtare:
Viti 2025: 38 vjet e 8 muaj vjetërsie
Viti 2026: 39 vjet vjetërsie
Ligji përcakton se vitet e sigurimit janë një nga elementët kryesorë në formulën e përllogaritjes së pensionit të pleqërisë. Pensioni llogaritet mbi një shumë bazë, e barabartë me pensionin social, e cila shumëzohet me vitet e sigurimit dhe më pas pjesëtohet me vitet e kërkuara të vjetërsisë në punë.
Si rrjedhojë, çdo ndryshim në kriteret e moshës dhe vjetërsisë reflektohet drejtpërdrejt në përfitimin final të pensionistëve, duke e bërë reformën një element kyç për të ardhmen e skemës së sigurimeve shoqërore.
















