Udhëtimet në të gjithë Evropën pritet të përballen me ndërprerje edhe më të mëdha në ditët në vijim, pasi vala e të ftohtit po intensifikohet dhe parashikohen reshje të tjera dëbore. Sipas raportimeve, fluturime të tjera do të anulohen, trenat do të pësojnë vonesa dhe shumë rrugë rrezikojnë të bllokohen nga bora, pas disa ditësh kaosi në transport.
Në Holandë, autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa një stuhi e re dëbore pritet të godasë vendin gjatë natës. Në Aeroportin Schiphol të Amsterdamit, mbi 400 fluturime u anuluan gjatë ditës së sotme dhe udhëtarëve u është kërkuar të mos shkojnë në aeroport nëse fluturimi i tyre është anuluar, për të shmangur mbipopullimin.
Në Francë, ministri i Transportit, Philippe Tabarot, njoftoi se kompanitë ajrore janë urdhëruar të anulojnë të paktën 40% të fluturimeve në aeroportin “Charles de Gaulle” të Parisit dhe rreth 25% të fluturimeve në aeroportin “Orly”. Ai paralajmëroi gjithashtu se bora mund të shkaktojë ndërprerje edhe në transportin publik në rajonin e Parisit.
Situata është e rëndë edhe në Gjermani, ku temperaturat kanë zbritur deri në minus 10 gradë Celsius në jug dhe lindje të vendit, ndërsa pjesa më e madhe e territorit është e mbuluar nga bora.
Në Mbretërinë e Bashkuar, Zyra Meteorologjike ka paralajmëruar se kushtet e rrezikshme të motit dimëror mund të vazhdojnë gjatë gjithë javës. Në disa zona, temperaturat e natës kanë rënë deri në minus 12.5 gradë Celsius, duke shënuar natën më të ftohtë të këtij dimri deri tani.
Ndërkohë, bora dhe reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme serioze edhe në Ballkanin Perëndimor, ku janë mbyllur rrugë, janë regjistruar ndërprerje të energjisë elektrike dhe përmbytje të lumenjve. Në Sarajevë, një grua humbi jetën pasi një pemë e rënduar nga bora u rrëzua mbi të. /skyweb.al
















