Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka firmosur ligjin e ri për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme. Me botimin në Fletoren Zyrtare, akti ligjor bëhet menjëherë i zbatueshëm, duke nisur zyrtarisht procesin e rivlerësimit në shkallë kombëtare.
Procesi do të shtrihet nga janari deri në dhjetor të vitit 2026 dhe do të përfshijë si individët ashtu edhe bizneset. Rivlerësimi do të kryhet me një normë tatimore prej 5 për qind, ndjeshëm më e ulët se tatimi 15 për qind që aplikohet aktualisht në rastet e shitjes së pronës.
Tatimi do të llogaritet mbi diferencën mes vlerës së pasurisë së regjistruar në kadastër dhe vlerës së saj reale në treg. Norma prej 5 për qind konsiderohet më e larta e aplikuar ndonjëherë në fushatat e rivlerësimit, që nga nisja e këtij procesi vite më parë, dhe do të jetë e njëjtë për të gjitha kategoritë e pronarëve.
Një element i ri i këtij rivlerësimi është përfshirja e amortizimit të pronës. Për herë të parë, vjetërsia e objektit do të merret parasysh në përllogaritjen e tatimit, duke ulur barrën fiskale për pronat më të vjetra.
Gjatë vitit 2026 do të hyjnë gjithashtu në fuqi çmimet e reja të referencës për pasuritë e paluajtshme. Me përjashtim të Tiranës, në pjesën tjetër të vendit pritet një rritje e vlerës referuese të pronave, bazuar në çmimet e konsultuara gjatë këtij viti.
Fushata e fundit e rivlerësimit u zhvillua në periudhën 2020–2022, me një normë tatimore prej 3 për qind. Në atë periudhë u rivlerësuan rreth 94 mijë pasuri të paluajtshme, duke sjellë të ardhura prej 138.6 milionë eurosh për buxhetin e shtetit, në një kohë kur çmimet e tregut kishin pësuar rritje të fortë. /skyweb.al















