Të dhënat e reja nga shërbimi evropian i klimës Copernicus dhe Met Office tregojnë se temperaturat globale në vitin 2025 nuk arritën nivelet ekstreme të vitit 2024, kryesisht për shkak të ndikimit ftohës të fenomenit natyror La Niña në Paqësor. Megjithatë, tre vitet e fundit kanë qenë më të nxehtat e regjistruara ndonjëherë në shkallë globale, raporton BBC.
Pavarësisht ftohjes natyrore, viti 2025 ishte shumë më i ngrohtë krahasuar me një dekadë më parë, pasi emetimet e karbonit nga aktivitetet njerëzore vazhdojnë të ngrohin planetin. Shkencëtarët paralajmërojnë se, pa ulje të ndjeshme të emetimeve, do të ketë rekorde të tjera temperaturash dhe përkeqësim të ngjarjeve ekstreme të motit.
Sipas Copernicus dhe Met Office, temperatura mesatare globale në vitin 2025 ishte mbi 1.4°C më e lartë se nivelet “para-industriale” të fundit të shekullit XIX. Edhe pse ka dallime të vogla metodologjike mes institucioneve, trendi afatgjatë i ngrohjes globale nuk vihet në dyshim.
“Ne e kuptojmë shumë mirë se vazhdimi i emetimeve të gazeve serrë rrit përqendrimin e tyre në atmosferë dhe planeti përgjigjet duke u ngrohur,” tha Prof. Rowan Sutton, drejtor i Met Office Hadley Centre.
Edhe pse 2025 nuk ishte viti më i nxehtë në histori, ngjarjet ekstreme të lidhura me ndryshimet klimatike vazhduan. Zjarret në Los Anxhelos në janar dhe uragani Melissa në tetor janë shembuj që shkencëtarët i lidhin, të paktën pjesërisht, me ngrohjen globale.
Ngrohja e vazhdueshme e afron botën me tejkalimin e objektivit ndërkombëtar për të kufizuar rritjen e temperaturës në 1.5°C mbi nivelet para-industriale, një marrëveshje e arritur nga rreth 200 vende në vitin 2015. “Të dhënat e fundit sugjerojnë se ky prag mund të tejkalohet deri në fund të kësaj dekade,” tha Dr. Samantha Burgess nga Copernicus.
Ndërsa variabiliteti natyror si El Niño dhe La Niña ndikon në temperaturat vjetore, fakti që 2025 mbeti shumë i ngrohtë edhe gjatë La Niña-s “është disi shqetësues”, sipas shkencëtarit të klimës Dr. Zeke Hausfather.
Shkencëtarët theksojnë se, megjithëse priten rekorde të reja, e ardhmja nuk është e paracaktuar. “Ne mund të ndikojmë fuqishëm atë që ndodh,” tha Sutton, “duke ulur emetimet dhe duke e bërë shoqërinë më rezistente ndaj ndryshimeve që po ndodhin.” /skyweb.al
















