Prokuroria e Tiranës ka vendosur sekuestro preventive mbi një sërë pasurish në pronësi të një shtetasi spanjoll, të dyshuara si produkt i veprës penale të pastrimit të parave. Vendimi është marrë në kuadër të një hetimi penal që ka zbuluar një skemë të gjerë mashtrimi financiar me shtrirje ndërkombëtare.
Sipas njoftimit zyrtar, pasuritë e sekuestruara përfshijnë shoqëri tregtare, mbi 33 hektarë tokë në zonën e Dhërmiut, automjete luksoze dhe llogari bankare në Shqipëri. Pasuritë i përkasin shtetasit spanjoll A.C., i identifikuar nga hetimet si figura qendrore e skemës, si edhe personave të lidhur me të.
Nga hetimi i procedimit penal të regjistruar gjatë vitit 2025, Prokuroria ka konstatuar se A.C., babai i tij D.I. dhe partnerja M.M. dyshohet se kanë ndërtuar një rrjet mashtrimi përmes krijimit të kompanive në disa shtete, përfshirë Spanjën, Portugalinë, Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Estoninë dhe Republikën Dominikane. Përfitimet financiare të kësaj skeme vlerësohen rreth 30 milionë euro.
Në Shqipëri, aktiviteti dyshohet se është zhvilluar përmes shoqërisë “Wingwort” sh.p.k. dhe dy subjekteve të tjera tregtare, të regjistruara me objekt veprimtarie në fushën e turizmit dhe menaxhimit të pasurive të paluajtshme. Këto shoqëri kanë kryer blerje pronash në Dhërmi me çmime ndjeshëm më të ulëta se vlera reale e tregut, duke ngritur dyshime për fshehje të burimit të të ardhurave.
Verifikimet kanë treguar se kompanitë kanë të njëjtën adresë, të njëjtët administratorë dhe status të pezulluar, çka sipas Prokurorisë përforcon dyshimet për përdorim formal të tyre me qëllim pastrimin e parave. Një pjesë e kontratave dhe transfertave financiare janë realizuar edhe me subjekte të huaja të regjistruara në juridiksione offshore.
Hetimi evidenton gjithashtu se babai i A.C. është nën hetim nga autoritetet spanjolle për mashtrim piramidal dhe pastrim parash, ndërsa vetë A.C. njihet në rrjete të mbyllura komunikimi me pseudonime dhe dyshohet se ka rekrutuar investitorë përmes platformës Telegram, duke shmangur identifikimin e tyre dhe gjurmimin e transaksioneve.
Në këtë kuadër, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dhe siguruar sekuestro mbi pasuri të paluajtshme në Dhërmi, shoqëritë tregtare të lidhura me skemën, dy automjete luksoze si dhe llogari bankare në të gjitha bankat e nivelit të dytë. Hetimet vijojnë, ndërsa çështja pritet të dërgohet në gjykatë për gjykim mbi akuzën e pastrimit të produkteve të veprës penale. /skyweb.al















