Qeveria ka përgatitur një projektligj të ri “Për donacionet dhe sponsorizimet”, i cili synon të vendosë rregulla të unifikuara për mbështetjen e veprimtarive me interes publik, me theks të veçantë te transparenca dhe gjurmueshmëria e burimeve.
Në relacionin shoqërues, një nga ndryshimet kryesore lidhet me krijimin, për herë të parë, të një Regjistri Elektronik Kombëtar për Donacionet dhe Sponsorizimet. Sipas dokumentit, regjistri do të ngrihet dhe do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ndërsa të dhënat që lidhen me donacionet dhe sponsorizimet e organeve publike do të jenë të aksesueshme për publikun në çdo kohë në faqen zyrtare në internet të Tatimeve.
Projektligji parashikon që organet ligjzbatuese që kanë kompetenca në luftën kundër pastrimit të parave, korrupsionit dhe terrorizmit do të kenë akses të pakufizuar në regjistër, si për të dhënat e organeve publike ashtu edhe për subjektet e tjera përfituese, donatorët dhe sponsorizuesit.
Ndërkohë, në rastet kur përfitues janë organizatat jofitimprurëse, organizatat sportive, shoqëritë sportive, subjektet tregtare në fushën e filmit dhe industrisë audiovizive, si edhe individë që përfaqësojnë Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare, të dhënat e regjistrit nuk parashikohen të jenë të hapura për publikun, por regjistrimi bëhet për efekt kontrolli financiar dhe verifikimi të burimit të financimit.
Një tjetër pikë kyçe e projektligjit është vendosja e pragut 500.000 lekë për donacionet që pranohen nga organet publike.
Sipas parashikimeve, çdo donacion mbi këtë vlerë duhet të formalizohet me marrëveshje me shkrim dhe të regjistrohet në Regjistrin Elektronik Kombëtar. Për këto raste, parashikohet edhe publikimi i marrëveshjes dhe, pas përfundimit të afatit të saj, publikimi i raportit mbi përdorimin e donacionit.
Relacioni thekson se, pavarësisht pragut, organet publike mbeten të detyruara të publikojnë në faqet e tyre zyrtare në internet edhe donacionet nën vlerën 500.000 lekë, duke synuar që çdo mbështetje e marrë të jetë e pasqyruar dhe e verifikueshme.
Projektligji pritet të shfuqizojë ligjin ekzistues të sponsorizimeve të vitit 1994, me argumentin se kuadri aktual nuk mbulon donacionet, ka parashikime të kufizuara dhe nuk garanton mekanizma efektivë për transparencë, integritet dhe masa antikorrupsion. /skyweb.al















