Proshuta dhe mishrat e përpunuar vazhdojnë të jenë pjesë e zakonshme e ushqimit të përditshëm për shumë njerëz, megjithatë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka marrë një qëndrim të qartë ndaj tyre, duke i klasifikuar si kancerogjenë për njerëzit, Grupi 1.
Ky vlerësim bazohet në prova të forta shkencore tek njerëzit, ku lidhja më e qëndrueshme është vërejtur me kancerin kolorektal. Në këtë kategori përfshihen të gjitha produktet e mishit që janë përpunuar përmes kriposjes, tharjes, fermentimit, tymosjes apo metodave të tjera që shërbejnë për ruajtjen dhe përmirësimin e shijes, si proshuta e gatuar apo e papërpunuar, salsiçet, mishrat e konservuar dhe produkte të ngjashme.
Vlerësimi nuk lidhet me një produkt apo markë të veçantë, por me vetë procesin teknologjik të përpunimit të mishit, çka e bën fushën e ndikimit shumë të gjerë.
Një nga të dhënat më të përmendura është rritja relative e rrezikut për kancer kolorektal me rreth 18% për çdo 50 gram mish të përpunuar të konsumuar çdo ditë, shifër që rrjedh nga analizat e studimeve epidemiologjike.
Edhe pse kjo rritje e rrezikut mund të duket e kufizuar në nivel individual, OBSH thekson se, në shkallë popullate, konsumimi i shpeshtë i këtyre produkteve mund të përbëjë një problem serioz për shëndetin publik. Gjithashtu, OBSH nënvizon se Grupi 1 përfshin faktorë shumë të ndryshëm, nga tymi i duhanit dhe asbesti deri te mishi i përpunuar. /skyweb.al
















