Është hapur sot sistemi e-Tax, që mundëson plotësimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA) për të gjithë individët që kanë detyrimin për ta plotësuar, por edhe për ata që kërkojnë të përfitojnë kompensimin për arsimin e fëmijëve.
Ashtu sikundër “Monitor” e ka shpjeguar disa herë, kompensimi për fëmijët rezulton se do të përfitohet nga individët që do të dalin me tatim të mbipaguar, pra nga rillogaritja e tatimit pas zbritjes së shpenzimeve nga baza e tatueshme.
Diferenca e tatimit vjetor të paguar gjatë 2025-s, nga rillogaritja e tatimit, pas zbritjes së bazës së tatueshme të shpenzimeve 48 mijë lekë në vit, pavarësisht nivelit të ardhurave dhe 100 mijë lekë nëse të ardhurat janë deri në 1,2 milionë lekë, do të jepet si kompensim për fëmijët.
Vlera e kompensimit llogaritet automatikisht nga sistemi. Sistemi e-Tax, e llogarit automatikisht vlerën e kompensimit, pasi bëhet deklarimi i të ardhurave, edhe për ata individë që nuk e kanë detyrimin ta bëjnë.
Konkretisht në DIVA-n e sapoplotësuar dhe dorëzuar të një individi, rezulton se të ardhurat e tij vjetore për vitin 2025 ishin në vlerën e 1,470 mijë lekë. Tatimi i paguar gjatë vitit është 144,424 lekë.
Individit i janë zbritur të ardhurat nga punësimi:
– Zbritje nga të ardhurat nga punësimi sipas nenit 22, pika 1, germat a, b dhe c me vlerë 360 mijë lekë në vit (apo 30 mijë lekë në muaj).
– Shumë kompensimi për çdo fëmijë në ngarkim të tij më pak se 18 vjeç në vlerën 48 mijë lekë.
Në DIVA pasqyrohet se baza e të ardhurave të tatueshme pas zbritjes arrin në vlerën e 1 mln lekëve. Llogaritja e tatimit vjetor të paguar është 138,184 lekë.
Tatimi i mbipaguar rezulton në vlerën e 6,240 lekëve.
E llogaritur nga Vlera e Tatimit Vjetor të paguara 144,424 lekë- 138,184 lekë= 6,240 lekë.
Tatimi i mbipaguar është vlera e kompensimit.
Kjo vlerë do të tërhiqet pasi të bëhet kërkesë në tatimet rajonale brenda 3 muajve nga afati i plotësimit të DIVA.
Detyrimin për plotësimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave e kanë individët me të ardhura mbi 1.2 mln lekë në vit, të dypunësuarit dhe ata që kanë krijuar të ardhura të padeklaruar mbi 50 mijë lekë në vit nga qiraja, honorarë etj.
Risi janë plotësimi i DIVA-s nga individët që kërkojnë të përfitojnë kompensimin e fëmijëve.
Për të gjithë ata individë që e plotësojnë për herë të parë deklaratën vjetore të të ardhurave, lehtësisht mund të hyjnë nëpërmjet faqes së tatimeve në linkun e-Shërbime te rubrika për individët, duke futur të dhënat nëpërmjet e-Albania. /Monitor















