Reshjet e fundit të dëborës kanë mbuluar me të bardhë fshatin turistik të Dardhës, duke e kthyer atë në një nga destinacionet më të preferuara dimërore në juglindje të Shqipërisë.

Peizazhi alpin dhe trashësia e dëborës kanë sjellë një fluks të lartë vizitorësh vendas dhe të huaj, veçanërisht adhurues të sporteve dimërore. E ndodhur vetëm 18 kilometra nga Korça, pista e skive në Dardhë po frekuentohet gjerësisht nga të rinj dhe familje që praktikojnë ski, snowboard dhe aktivitete të ndryshme argëtuese në dëborë.
Kushtet e favorshme klimatike, së bashku me infrastrukturën turistike të zonës, e bëjnë Dardhën një zgjedhje tërheqëse për pushime dimërore. Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga Dardha e mbuluar me dëborë, ku fëmijë dhe të rritur shfaqen duke shijuar sportet dimërore dhe natyrën piktoreske, duke përcjellë një mesazh pozitiv për fundjavën.

Dardha vijon të mbetet një nga pikat kryesore të turizmit dimëror, duke ofruar jo vetëm mundësi për sporte dimërore, por edhe mikpritje tradicionale, kuzhinë tipike dhe një atmosferë alpine unike. /skyweb.al
















