Presidenti i Republikës Bajram Begaj zhvilloi një vizitë në Universitetin e Tetovës, ku vlerësoi rolin e këtij institucioni në hapësirën shqipfolëse dhe në formimin e elitave të reja akademike dhe profesionale.
Gjatë fjalës para pedagogëve dhe studentëve, ai theksoi se arsimimi në shqip është një çështje cilësie dhe bashkëpunimi, duke nënvizuar rëndësinë e thellimit të partneriteteve mes universiteteve shqiptare përmes shkëmbimeve studentore dhe projekteve të përbashkëta kërkimore.
Presidenti Begaj e cilësoi Universitetin e Tetovës si një institucion të ndërtuar mbi rezistencën dhe sakrificën, duke kujtuar rrugëtimin e tij drejt legalizimit pas Marrëveshjes së Ohrit.
Sipas tij, sfida e radhës për universitetin mbetet forcimi i autonomisë reale, të cilën e përkufizoi si kusht për dinjitetin dhe zhvillimin institucional.
Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit theksoi se universiteti duhet të prodhojë mendim strategjik dhe të kontribuojë në kohezionin social dhe shumëetnik, ndërsa u bëri thirrje studentëve që të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend.
Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e themeluesve dhe pedagogëve që kanë mbështetur institucionin ndër vite, duke theksuar se e kaluara e tij është histori rezistence, ndërsa e ardhmja duhet të jetë histori ekselence.
Gjatë vizitës u nënshkrua edhe marrëveshja e bashkëpunimit mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Tetovës nga rektorët Artan Hoxha dhe Jusuf Zejneli, me synim zgjerimin e projekteve të përbashkëta akademike dhe kërkimore./skyweb.al















