Fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës drejt Tel Avivit dhe Dubait janë pezulluar deri në një njoftim të dytë, për shkak të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme dhe mbylljes së hapësirave ajrore në disa zona të rajonit.
Në një njoftim për pasagjerët, aeroporti bëri të ditur se anulimet prekin të gjitha fluturimet drejt këtyre dy destinacioneve, ndërsa kompanitë ajrore dhe autoritetet po ndjekin zhvillimet për të përcaktuar rifillimin e operimeve.

Situata lidhet me tensionet e rritura në rajon, të cilat kanë detyruar autoritetet ajrore të marrin masa sigurie dhe të kufizojnë qarkullimin në korridoret ajrore, duke ndikuar drejtpërdrejt itineraret ndërkombëtare.
Pasagjerëve u rekomandohet të kontaktojnë kompanitë ajrore për informacion të përditësuar mbi rezervimet dhe opsionet alternative të udhëtimit, ndërsa aeroporti njofton se çdo ndryshim do të komunikohet në kohë reale përmes kanaleve zyrtare./skyweb.al















